Arbëri

Davenport: Kosova ka shënuar përparim të madh në lirinë e mediave

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, ka thënë se Kosova ka shënuar përparim të madh sa i përket lirisë së mediave në rrugëtimin përgjatë dy dekadave të kaluara.

Ai ka folur edhe për problemin me lajmet e rreme e për të cilat tha se janë problem gjithkund, ashtu si edhe në Kosovë. Shtoi se e rëndësishme është të informohen qytetarët për ta bërë dallimin mes lajmit të rremë dhe atij të vërtetë.

“Folët për lajmet e rreme. Ky problem është gjithkund. Është problem në Kosovë po ashtu. Dhe mendoj se një nga gjërat me rëndësi është përqendrimi në zhvillimin e mediave. Me fjalë të tjera, për t’i bërë qytetarët më të vetëdijshëm se si të bëhet dallimi ndërmjet lajmit të rremë dhe atij që është lajm i vërtetë. Kjo është diçka për të cilën jam i kënaqur ta them se misioni i OSBE-së fokusohet goxha shumë. Është aktuale të them se për momentin një nga partnerët kryesorë në këtë iniciativë ka qenë “DokuFesti”, gjithashtu edhe Universiteti i Prishtinës. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është shtrirja nëpër shkolla, sepse qytetarët e rinj janë ndoshta në të njëjtën kohë të gatshëm të absorbojnë se çka do të thotë zhvillimi medial, por gjithashtu njerëzit më të vullnetshëm se shumë njerëz të tjerë për të luftuar lajmet e rreme”, ka thënë ai në Interaktiv të KOHËS.