Arbëri

“Luftë” në distancë mes ministres Haxhiu e KPK-së dhe KGJK-së

Descriptive Text

Ende pa u bërë 6 muaj të Qeverisë Kurti 2 janë shënuar rekord “përplasjesh” në distancë mes Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Përplasja e fundit ka ndodhur gjatë të mërkurës. Ministrja Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë në konferencën me gazetarë ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me këto dy këshilla nëse heshtin për skandale në drejtësi.

“Relacionet mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor pa dyshim që do të jenë të mira në momentin kur duam të bëjmë punë të mira. Unë nuk dua t’i mbështesë këto këshille kur ata duan t’i mbyllin sytë përballë skandaleve. Në momentin kur nuk ka reagime si ajo e incizimeve, natyrisht që do të kritikohen nga Ministria e Drejtësisë. Edhe sot paralajmëroj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial nëse nuk duan të punojnë bashkërisht për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Por një deklaratë të tillë të Haxhiut nuk e ka mirëpritur Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Sipas këtij institucioni, deklarata të tilla mund të interferojnë në pavarësinë e gjyqësorit.

“Reagimet dhe deklarata e ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve, sepse përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj e jo nga vullnetet personale”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

Përndryshe, KGjK-ja ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekjeje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky këshill”.

Shumë më i ashpër në reagim ka qenë Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ka thënë se është i përkushtuar për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional, por jo në formën dhe mënyrën të cilën e ka zgjedhur Ministria e Drejtësisë.

“Në vend të atakimeve, denigrimeve dhe dezinformatave për institucionet e pavarura, në këtë rast ndaj KPK-së, Ministria e Drejtësisë duhet të punojë që sa më parë t’i nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore që rregullojnë këtë çështje, ngase Këshilli Prokurorial i Kosovës është i obliguar të vazhdojë të kompensojë shërbimet e ekspertëve mjekoligjorë në bazë të akteve nënligjore aktuale”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Pas këtyre reagimeve sërish për këtë çështje përmes rrjetit social ka reaguar ministrja Haxhiu. Ka thënë që këshillat nuk duhet të rreshtohen kundër zbatimit të ligjit.

“Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëjë shqetësim edhe për vetë këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barrikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është në shërbim të drejtësisë”, u kundërpërgjigj ministrja Haxhiu.

Edhe të martën Këshilli Prokurorial ka reaguar kundër konferencës për media të zëvendësministrit Blerim Sallahu dhe pretendimeve të tij që ekspertët mjeko-ligjorë ky institucion i ka paguar jashtëligjshëm.

Reagime të këtyre dy institucioneve kishte pasur edhe muaj me parë, pas një kronike të Kohavisionit e ku Haxhiu kishte thënë se fillimisht do të duhej të ndërrohej përbërja e këtyre dy këshillave e me pastaj të zgjedhën shefat e institucioneve të drejtësisë për shkak të ndikimit të këtyre grupeve.