Arbëri

Shqipëria në flakë, kërkohet ndihmë në Kosovë

Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit ka dalë jashtë kontrolli të hënën, ndërsa flakët të ndihmuar edhe nga era po u afrohen banesave në Shëmri të Kukësit. Dhjetëra forca zjarrfikëse, janë duke punuar për shuarjen e flakëve ndërsa pritet që atje të ndërhyjnë serish nga ajri, ndërsa autoritetet vendore kanë bërë edhe një plan evakuimi të banorëve bashkë me bagëtitë në rast se zjarri arrin në lagje.

Për shkak të kapaciteteve të vogla të Bashkisë së Kukësit, ata kanë kërkuar ndihmë në Kosovë ku drejt Kukësit pritet të vijnë rreth 100 forca të FSK-së në mesin e tyre tre ekipe zjarrfikësish që do të ndihmojnë në shuarjen e flakëve në Malin e Rrunes në Kukes.

50 prej këtyre forcave do të pozicionohen në vendin e quajtur “Laku i Thive” dhe 50 të tjera në Qafën e Kumbullës. Drejtimi i zjarrit ì Qafës së Kumbullës po shkon në drejtimin e fshatit Trull, Njësia Administrative Surroj, ndërsa zjarri i Majës se Rrunës (Laku i Thive) po shkon në drejtim të fshatit Shemri, Njësia Administrative Malzi e bashkisë Kukës. Edhe gjatë ditës së hënë helikopteri ka ndërhyrë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Në fikjen e zjarrit janë angazhuar edhe 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores, 20 forca nga komuniteti, 1 mjet zjarrfikës si dhe forca te emergjencës civile te Bashkisë Kukës, por pa ja arritur qëllimit.

Një vatër e re zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Ahishteve në zonën e Mokrës në Pogradec e njohur si Guri i Nikës, ku ndërhyrja nga toka duket e vështirë për shkak të terrenit. Edhe në gadishullin e Karaburunit situata paraqitet me rrezikshmëri të lartë në zonën e quajtur Gropat e Pirit. Zjarri në këtë zonë paraqet një rrezikshmëri të lartë pasi rrezikon edhe parkun kombëtar të Llogarasë, ndërsa ndërhyrja është edhe nga toka dhe ajri me helikopter.

Ndërsa zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik. Nga ana tjetër, përmirësim të situatës ka shfaqur zjarri në pyjet e Voskopojës, ku zjarri i rënë mbrëmë është drejt shuarjes. Vatra e zjarrit e rënë dje në pyjet me pisha të Krushovës janë pothuajse drejt fikjes. Rënia e intensitetit të flakëve ka ardhur edhe si pasojë e temperaturave të ulura gjatë natës. Në terren janë punonjës, zjarrfikës dhe forca të armatosura që kanë nisur punën që në 5 të mëngjesit, ku ka ende dy vatra të vogla aktive një në pyjet e Krushovës dhe një në fshatin Gjonomadh. Në Gjonomadh, zjarr i cili ka rënë qysh ditën e djeshme, janë 10 trupa zjarrfikëse të cilat janë duke u përpjekur për të izoluar flakët. Edhe në fshatin Gjorgos të Fier situata është përmirësuar ndjeshëm ku flakët janë vënë në kontroll dhe po mundohen të shuhen nga zjarrfikësja.

Vatër aktive ka edhe në Çorush të Mallakastrës, por pa probleme të mëdha.