Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për propozimin e kandidatëve për Bord të AKP-së.
LDK-ja përmes një komunikate për media ka thënë se Qeveria e Vetëvendosjes, në vazhdën e kapjes së institucioneve të pavarura, kapi me militantë partiak edhe Bordin e AKP-së, e që sipas kësaj partie të njëjtit institucion i’a paralajmëruan shuarjen.
“Në vend të shuarjes, gjithsesi, vendosën në Bord të ri, këtë herë militantë partiak. Së paku tre anëtarë të rinj të Bordit janë anëtarë partiak të Qeverisë së Vetëvendosjes; dy nga të cilët ish kandidatë për deputetë; të cilët kishin dështuar paraprakisht të zgjedhën” thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiak, përveç se është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar. LDK-ja thotë se një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populliste që kapjen dhe nepotizmin e ka shndërruar në kauzë.
“Logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiak, përveç se është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar. Një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populliste që kapjen dhe nepotizmin e ka shndërruar në kauzë. Ftojmë Kuvendin e Kosovës, të refuzojnë kapjen. Ftojmë organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare të ngrisin zërin kundër dukurive të tilla”, thuhet në reagimin e tyre.
Kryeministri Albin Kurti në fushatë dhe pasi mori drejtimin e Qeverisë, është zotuar për shuarjen e AKP-së. Pas shkarkimit të përbërjes së vjetër të Bordit, ai kishte thënë se duhet një Bordi i ri për të përgatitur procesin e shuarjes. Në vend të AKP-së, Kurti ka paralajmëruar krijimin e Fondit Sovran.
“AKP-ja duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet fondi Sovran. Nuk mundemi edhe Agjenci të Privatizimit edhe Fond Sovran. Në zgjedhje ka fituar Fondi Sovran, në zgjedhje ka fituar Banka zhvillimore, prandaj ne duhet ta shuajmë AKP-në. E për ta shuar AKP-në duhet ta shkarkojmë Bordin e AKP-së”, kishte thënë Kurti më 27 maj në një seancë të Kuvendit të Kosovës.