3 perditesime
23:31

Dreshaj: AAK-ja synon fitore edhe në 4 komuna pos në 6 që i menaxhon

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) synon të mbajë gjashtë komunat që i menaxhon dhe t’i fitojë edhe katër të tjera në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se në të gjashtë komunat, AAK-ja synon të fitojë pa balotazh, ndërsa synim ka ndër të tjera edhe Podujevën me Besnik Tahirin, Prishtinën me Daut Hardinajn si dhe Pejën e Istogun.

“AAK-ja është një prej partive më të konsoliduara në Kosovë. Në në raport me votën lokale, kemi elektorat shumë stabil. Aktualisht ne i menaxhojmë 6 komuna dhe pretendojnë edhe në katër komuna. Këto 6 nuk do të kemi problem t’i mbajmë, madje llogarisim t’i fitojmë pa balotazh. Ne pretendojmë ta marrim Podujevën me Besnik Tahirin, i cili është personi më i ngritur në rajon për pushtetin lokal. Në Podujevë është një frymë e fitores, një program perfekt, një listë e re dhe llapjanët kanë filluar t’i besojnë. Pretendojmë Prishtinën. Daut Haradinaj është një njeri i guximshëm vizionar, implementues i projektit të vetë, çdo ditë e shohim në terren duke i identifikuar dështimet që i ka kryeqyteti”, ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, AAK-ja synon edhe Pejën e Istogun. Në Pejë ka qeverisur më herët, e në Istog ishte afër të fitonte pushtetin në zgjedhjet e shkuara.

 

23:17

Dreshaj: Vala e tretë e pandemisë do të jetë më e butë

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se vala e tretë e pandemisë do të jetë më e butë se dy të cilat ishin.

Ai ka shtuar se kjo mund të jetë për arsye të vaksinimit dhe personave të cilët tashmë e kanë kaluar virusin.

“Unë shpresoj që të jetë valë më e butë bazuar në parametrat populativ dhe situatën me numrin e vaksinave. Mjekët dhe personeli shëndetësorë janë të përgatitur për sfida të tilla. Atë kërkojnë një falënderim të duhur. Ne jemi heronj por nuk kemi dëshirë të jemi vetëm heronj vetëm në letër.

Ai ka thënë se në rast se ka rritje të madhe të rasteve kapacitetet infermierore janë të limituara në QKUK.

23:16

Dreshaj flet për telashet dhe punët që kanë kryer në klinikat e QKUK-së

Deputeti i AAK-së dhe mjeku Shemsedin Dreshaj, ka thënë ka folur për problemet që po i përcjellin klinikat e QKUK-së, e sidomos atë Infektive ku punon edhe vetë.

Dreshaj ka thënë se janë bërë disa investime, por janë pak krahasuar me kërkesën e përgjithshme për të arritur standardet e kërkuara. Ai ka thënë se shumëçka është e amortizuar, mirëmbajtja nuk është efikase.

Dreshaj në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se në një gjë është punuar mjaft, në oksigjenimin e reparteve.

“Gjatë pandemisë i kemi pasur 32 shtretër me oksigjen qendror, tjerat i kemi pasur me bombola, flas për Klinikën Infektive ku jam unë. Tash është bërë shumë në drejtimin oksigjenimit qendror, kanë punuar strukturat si në këtë mandat ashtu edhe në atë të kaluarin”, ka thënë Dreshaj.

23:02

Dreshaj skeptik se deri në fund të vitit do të vaksinohet 60% e popullatës

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se kohëve të fundit është rritur numri i të vaksinuarve.

Ai ka shtuar se nëse vazhdon ky trend atëherë deri në shtator mund të vaksinohen deri në 500 mijë qytetarë.

Dreshaj ka thënë se shpejtësia që po vaksinohen është e vështirë ta arrijë 60 përqindëshin e të vaksinuarve të personave mbi moshën 18-vjeçare.

Ai ka thënë se deri tash mund të jenë vaksinuar 15 për qind të personave.

“Mendoj se nuk jemi mirë me vaksinime. Kemi qytetarë që janë vaksinuar në vende tjera. Ne duhet të bëjmë krejt çka është e mundur të promovohet vaksinimi. Mos marrja e vaksinës e rrezikon jashtëzakonisht shumë shëndetin tonë”, ka thënë ai.