Arbëri

Ka buxhet, por s’ka barna

Barnatore

“Mungesa e buxhetit”, nuk është këtë vit arsyetim për mungesën e barnave të Listës Esenciale, sidomos në nivelin parësor.

Siç nuk ndodh zakonisht, për momentin Ministria e Shëndetësisë ka buxhet për barna, por qysh prej prillit nuk ka nënshkruar kontratë për asnjë tender për furnizim me produkte për institucionet e hallkës së parë të sistemit publik shëndetësor.

Një komunikatë “alarmuese” pati dërguar kjo ministri pak javë pasi kishte kaluar në menaxhim të ministrit nga radhët e VV-së, Arben Vitia.

Përqindjet e furnizimit sipas kësaj ministrie ishin në nivelin më të ulët të mundshëm.

“Numri momental i kontratave të nënshkruara për material shpenzues është 12, apo shprehur në përqindje 15.79 %. Numri i artikujve që Ministria e Shëndetësisë momentalisht i ka në dispozicion është 109, apo shprehur në përqindje 38.6%”, kishte thënë MSH-ja në prill të këtij viti.

Për të shmangur kolapsin në qendrat e mjekësisë primare, Qeveria e Kosovës ndau rreth 7 milionë euro për MSh-në.

Katër muaj pas në faqen e prokurimit, ku publikohen të gjithë tenderët e secilit institucion, nuk figuron asnjë kontratë për furnizim me barna.

Janë disa tenderë të hapur, por asnjëra ende nuk është e finalizuar.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje qe 18 ditë në pyetjet e KOHËS për nivelin e furnizimit të shëndetësisë primare me brana e material shpenzues dhe për tenderët e hapur për furnizim pas ndarjes së afro 7 milionëve për këtë qëllim tre muaj më parë.

Mungesa e barnave në mjekësinë primare u aktualizua muajin e kaluar, kur qytetarë të shumtë të Deçanit kërkuan ndihmë në QKMF pas helmimit nga uji i kontaminuar.

ShSKUK-ja, që është organizatë e pavarur buxhetore nga Ministria e Shëndetësisë, furnizoi këtë QKMF me materialin e nevojshëm ani pse ligjërisht ky institucion është përgjegjës për furnizimin me barna vetëm për QKUK-në dhe spitalet rajonale.