Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij ende nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, një nga premtimet kryesore të tij para se të mbaheshin zgjedhjet.
Kurti ka thënë se janë duke e trajtuar këtë çështje me kujdes, pasi sipas tij, nuk duan të dështojnë.
‘’Sa i përket reciprocitetit, qysh në vitin 2011 e kemi miratuar rezolutën e plotë për reciprocitet politik, ekonomik, tregtar me Serbinë. Këtë princip e kam paraqitur edhe në takimet që i kam pasur Bruksel. Besnik Bislimi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuktë, 11 shkeljet që ia bën Serbia Kosovës në raportin tonë të ndërsjellë dhe këtë gjë ia kemi treguar faktorëve ndërkombëtar dhe po japim kohë, që nga reciprociteti ta zbatojmë. Në 100 ditët e para kemi pasur drejtor të ri të doganave, dhe duhet të përgatitemi maksimalisht që të mos dështojmë më. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë plotësisht reciprocitetin, atëherë ai koncept vdes. Jemi të interesuar për zbatim të plotë dhe të saktë të tij. Reciprocitetin s’e kemi për hakmarrje, është një parim i shëndosh midis dy shteteve të cilat do barazohen. Reciprocitetin s’e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr. Duam ta bëjmë në mënyrë që nuk zhbëhet më. Herën e kaluar e bëmë, gjithçka po shkonte mirë dhe më pas kur u hoq, na u kthye më keq. Do ta bëjmë atëherë kur jemi të përgatitur shpejt’’, deklaroi Kurti.