Drejtori i Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që një person që ka marrë dy doza të vaksinës ‘’Pfizer’’ ose ‘’Astrazeneca’’ të infektohet me COVID-19.
Krasniqi thotë se dy vaksinat që janë të aplikuara në Kosovë janë të licencuara nga agjencitë kredibile.
‘’Besoj që tanimë e kanë kuptuar qytetarët se vaksinimi është mënyra më e mirë, më efikase për ta parandaluar infeksionin. Edhe ata që e kanë të paqartë, duhet t’i heqin këto kufizime. Kosova është ndër vendet e vetme në rajon që aplikon vetëm dy vaksina dhe që të dy vaksinat janë të licencuara nga agjencionet kredibile. Këto vaksina para se të futën në përdorim në masë të madhe, ka kaluar në shumë filtra. Ka shumë studime për efektivitetin dhe dobinë e vaksinës. Ka studime edhe për efektet anësore, ku benefitet nga vaksina janë më të mëdha. Këto vaksina nuk janë të gjalla dhe nuk ka mundësi që njeriut të infektohet pas vaksinimit. Nuk mund të ndodhë me këto dy vaksinat që i kemi në dispozicion’’, ka thënë Krasniqi në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së.
I pari i SHSKUK-së bëri thirrje që njerëzit të vaksinohen sa më shumë, pasi sipas tij, është mënyra më e mirë për t'u mbrojtur nga virusi.
‘’Ditëve të fundit kemi vërejtur një fluks më të madh të vaksinimit. Kemi parë një numër disa mijëra persona që vaksinohen brenda 24 orëve. Ky është një sinjal i mirë për të gjithë ne. Bëj thirrje nga këtu që njerëzit të vaksinohen sa më shumë, pasi kjo është mënyra më efikase për mbrojtjen nga virusi. Në ditët e vazhdim, ky numër duhet të rritet sa më shumë që të jetë e mundur. Duhet ta shfrytëzojmë këtë rast kur e kemi situatën kësisoj. Do të ishte më e lehtë ta kontrollojmë mundësinë e rritjes së rasteve të reja’’, theksoi Krasniqi.
Krasniqi shtoi tutje se numri i të hospitalizuarve në dy muajt e fundit nuk e ka kaluar numrin 100. Por duke parë gjendjen në botë me pandeminë, ai deklaroi se pritet shtimi i pacientëve të hospitalizuar.