Arbëri

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadorja kolumbiane në Romë

Descriptive Text

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e Kolumbisë në Romë, Gloria Isabel Ramirez Rioz, që do të shërbejë si ambasadore jorezidente në Kosovë.

Osmani ia uroi Ramirez Riosit emërimin si e para ambasadore e këtij vendi, duke përmendur mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për përkrahjen e Kolumbisë.

“Kolumbia është njëra ndër vendet e para e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që atëherë ajo ka qenë përkrah nesh në synimet për konsolidim të shtetësisë së Kosovës”, tha presidentja Osmani.

Osmani kërkoi që Kolumbia “ të ndihmojë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si mekanizëm i cili do të shërbejë jo vetëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por, mbi të gjitha madje, për përmirësimin e mëtejmë të jetës së qytetarëve”

“Anëtarësimi i vendit në organizata ndërkombëtare për ne nuk nënkuptojnë vetëm forcim të shtetësisë, por më shumë siguri dhe më shumë mundësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë”, ka theksuar Osmani përmes një komunikate drejtuar mediave.

Në anën tjetër, ambasadorja Ramirez Rios ritheksoi gatishmërinë e shtetit të saj për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.