Arbëri

MD-ja prezanton ndryshimet në Kodin Civil

Descriptive Text

Ministria e Drejtësisë ka prezantuar ndryshimet e adresuara në Projekt Kodin Civil. Zëvendësministri Blerim Sallahu ka thënë se reforma në drejtësi nënkupton angazhim dhe punë të jashtëzakonshme jo vetëm në hartimin dhe miratimin e ligjeve, por dhe në funksionalizimin dhe zbatimin tyre.

Pjesë e reformës në drejtësi, shtoi Zëvendësministri Sallahu, është edhe drejtësia civile.

“Vullneti dhe angazhimi maksimal i të gjithë akterëve relevant të përfshirë në këtë proces ka bërë që tani të hymë në një fazë tjetër të konsolidimit të infrastrukturës ligjore, përfshirë edhe Kodin Civil për të cilin është diskutuar në shtatë punëtori paraprake me ç‘rast adresimi i çështjeve të dala nga këto punëtori do të jetë ndihmesë në kompletimin dhe modernizimin e reformës në drejtësinë civile” tha Sallahu.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e Projekt Kodit Civil “EU Funded Civil Code- Phase 2” nga Zyra e BE në Kosovë, gjatë këtij takimi kanë prezantuar raportin e detajuar me ndryshimet dhe rekomandimet që kanë dalur nga shtatë punëtoritë paraprake për Projekt Kodin Civil.

Në këtë takim përveç ndryshimeve përmbajtjesore të Projekt Kodit Civil janë prezantuar ndryshimet teknike të cilat kanë reflektuar në draft dhe të njëjtat janë harmonizuar.