Arbëri

Gërvalla e quan “Open Ballkanin” iniciativë të rrezikshme

(Kosovapress) - Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se nisma rajonale e emëruar tani “Ballkan i Hapur” është e rrezikshme dhe përmes saj krijohet përshtypja se rajoni ka alternativë tjetër në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Shkup, ministrja e Jashtme dhe Diasporës ka thënë se nuk ka nevojë për nisma rajonale të tilla derisa shtetet veçse janë pjesë e procesit të Berlinit, që sipas saj, hapja e iniciativave paralele nuk paraqet diçka të re.

Një ditë pasi Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për nismë rajonale, e njohur si minishengeni ballkanik por që dje u emërua si “Open Ballkan”, ministrja e Jashtme e Kosovës ka treguar edhe njëherë qëndrimin e qeverisë në kundërshtim të kësaj nisme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit ndërkohë të minishengenit, që nga dita e djeshme të Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë të rrezikshme. Pse e konsiderojmë të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne e konsiderojmë që është më i rrezikshëm sa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka përmendur procesin e Berlinit në të cilin janë pjesë të gjitha vendet e rajonit, për çka ka thënë se hapja e nismave paralele nuk paraqet diçka të re.

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit, procesi quhet procesi i Berlinit, aty kemi disa vite që përpiqemi të shtyjmë përpara marrëveshjet të cilat prekin të gjithë qytetarët tanë. Në këtë iniciativë Republika e Kosovës është partner i barabartë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit, dhe ne konsiderojmë që hapja e iniciativave paralele të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim vetë në rajon por edhe si shihemi nga BE. Është përshtypja ime që kjo iniciativë e quajtur më parë minishengen dhe tani e hapur, shtrohet pyetja ndaj kujt, vë një pikëpyetje edhe rreth përcaktimeve gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, ka thënë Gërvalla derisa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth minishengenit.

Kësaj nisme nuk i është bashkuar Kosova, Mali i Zi e as Bosnje e Hercegovina.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po qëndron për vizitë zyrtare në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut. Lidhur me këtë ka reaguar edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.