Arbëri

Abdixhiku: “Open Ballkani” projekt politik, përfitimet ekonomike të parëndësishme përballë mohimit serb

Për iniciativën "Open Balkan", të nisur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, LDK-ja thotë se është projekt politik, dhe se përfitimet ekonomike “bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb”.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se një gjë të tillë duhet ta kuptojnë zyrtarët në Shqipëri, dhe se Qeveria e Kosovës duhet të flasë me Qeverinë e Shqipërisë.

“Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona - kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga kryeministri ynë - ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, thuhet në qëndrimin e Abdixhikut përmes një komunikate.

Ai shkruan se Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale, si palë e barabartë dhe shtet sovran, i njohur nga të gjitha shtetet.

“Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë - shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”, thuhet tutje.