Arbëri

Trusti shënon 108 mln € kthim bruto nga investimet në 6 muajt e parë të vitit

Fondi i Kursimeve Pensionale, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka shënuar kthim bruto nga investimet në vlerë prej 108 milionë euro.

Sipas një njoftimit të Trustit, asetet në këtë periudhë janë rritur për 177 milionë euro, duke çuar vlerën e përgjithshme në 2.17 miliardë euro.

“Kjo performancë pozitive erdhi si nga vlerësimi i tregjeve financiare ashtu edhe nga vendimmarrja e FKPK-së në alokimin taktik përgjatë kësaj periudhe. Këtë vit institucioni ka drejtuar investime në instrumente të reja financiare, për t’i dhënë edhe më shumë diversitet, e rrjedhimisht shpërndarje riskut investues, por edhe synuar kthim sa më të lartë. Njëkohësisht investimet në Kosovë kanë vazhduar në letrat me vlerë të Qeverisë dhe depozitat bankare, që në fund të gjashtëmujorit ishin rreth 568 milionë euro. Sikurse është deklaruar edhe më parë, Bordi vazhdimisht synon rritjen e investimeve brenda vendit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Trusti ka akumuluar prej themelimit rreth 660 milionë euro kthim bruto nga investimet.

“Gjatë këtij gjashtëmujori u përmbyll me sukses edhe procesi i tërheqjes së 10%-shit, përmes të cilit 427,363 kontribuues i tërhoqën mbi 198 milionë euro, me fitim mesatar prej 24.2%”, thuhet në njoftim.