Arbëri

Nagavci: U mbetet institucioneve të arsimit të lartë që t'i hapin konkurset për pranimin e studentëve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, u mbetet institucioneve të Arsimit të Lartë që të hapin konkurset për pranimin e studentëve.

Nagavci përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht që studentëve tu krijohen kushte sa më të favorshme për studime.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka shqyrtuar dhe ka marrë vendim për të gjitha raportet e ekspertëve ndërkombëtarë. Kjo i ka hapur rrugë hapjes së konkurseve për pranimin e studentëve në vitin e ri akademik 2021/2022 në të gjitha institucionet dhe programet e akredituara në Republikën e Kosovës. Tashmë ju mbetet institucioneve të arsimit të lartë që t'i hapin konkurset për pranimin e studentëve. Si Ministri e Arsimit jemi të përkushtuar në përmirësimin e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet e që është dhe një nga qëllimet strategjike të kësaj qeverie. Kandidatëve që do të aplikojnë ju uroj suksese në provimin pranues dhe tutje në studime. I siguroj se si Qeveri do të angazhohemi maksimalisht që studentëve tanë t'u krijojmë kushte sa më të favorshme për studime”, ka shkruar Nagavci.