Publicisti Veton Surroi në fund të mbledhjes së vitit 1991 në Stubiçke Toplice tregoi për pikat konsensuale dhe po ashtu lexoi komunikatën e dal nga takimi.
Surroi atëbotë ishte kryetar i partisë parlamentare të Kosovës dhe anëtar i këshillit koordinues të partive shqiptare në Kosovë e ish Jugosllavi
“Ashtu si u morëm vesh po japim rezymenë e pikave koncensuale dhe komunikatën për opinion. Së pari, "Rezyme e pikave konsensuale të takimit konsultativ të partive politike shqiptare në Jugosllavi". "Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Jugosllavi dhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike në takimin konsultativ të mbajtur më 19 dhe 20 janar 1991, u morën vesh për këto pika të veprimit dhe synimit të përbashkët:
1. Mbrojtja dhe zhvillimi i qenies kombëtare shqiptare
2. Sovraniteti i shqiptarëve si popull në Jugosllavi
3. Jetësimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pra sovraniteti i Kosovës brenda bashkësisë jugosllave si republikë e qytetarëve apo e popullit shqiptar. Platformë kjo, unike për bisedimet e ardhshme lidhur me fatin e Jugosllavisë
4. Njësimi i të drejtave kulturore në të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë. Barazimi politik, social edhe ekonomik i shqiptarëve me qytetarët e tjerë në njësitë ku jetojnë dhe pengimi i diskriminimt të shqiptarëve.
5. Komunikimi i lirë ekonomik, politik e kulturor brenda tërë hapësirës etnike shqiptare
6. Bashkimi pa dhunë i shqiptarëve brenda një njësie gjeopolitike, në një shtet në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë apo me integrime rajonale e evropiane në rast të ristrukturimit të Jugosllavisë.
7. Bashkëpunimi dhe unifikimi i lëvizjes politike shqiptare. Për këtë formohet grupi punues që do t'i ofrojë tezat e koncepteve.
8. Strategjia unike dhe intensifikimi i rezistencës institucionale dhe jashtë institucionale. Grupi punues për hartimin e rezymesë propozon që tezat për diskutim rreth pikës së rendit të ditës perspektivat e lëvizjes politike shqiptare në Jugosllavi të trajtohen si pjesë përbërëse e kësaj marrëveshjeje konsensuale.
Edhe këtë të dytën po ju lexoj: Komunikatë për opinion
“Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Jugosllavi mbajtën një takim konsultativ në të cilin u morën vesh për veprimin e ardhshëm politik në kushtet dhe rrethanat e krijuara aktualisht. Pikënisje për veprimin e tyre të ardhshëm është statusi i shqiptarëve si popull në Jugosllavi, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe sigurimi i barazisë së popullit shqiptar në Jugosllavi me popujt e tjerë në hapësirën ku jetojnë”, lexoi Surroi.
E gazetari Mehmet Kraja po ashtu lexoi komunikatën.
“Qe pe lexoj tekstin në tanësi edhe një herë pa digresione. Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Jugosllavi dhe përfaqësues të disa subjekteve të tjera politike këto ditë mbajtën një takim konsultativ në të cilin u morën vesh për veprimin e ardhshëm politik në kushtet dhe në rrethanat e krijuara aktualisht. Nga kjo bisedë, si qëndrim i përbashkët doli se pikënisje për veprimin e ardhshëm të partive politike si edhe i subjekteve të tjera është statusi i shqiptarëve si popull në Jugosllavi, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe sigurimi i barazisë së popullit shqiptar në Jugosllavi me popujt e tjerë ku jetojnë. Edhe me këtë rast u theksua se pa pjesëmarrjen e shqiptarëve nuk mund të bëhet marrëveshja për Jugosllavinë e ardhshme. Gjithashtu në këtë takim u vlerësua se bashkëpunimi i këtillë i partive politike shqiptare dhe i subjekteve të tjera është frytdhënës dhe se në ardhmen do të intensifikohet edhe më".