Arbëri

Rugova më 1991: Në çdo takim me ndërkombëtarët e kemi Qosjen e Mark Krasniqin

Në mbledhjen e mbajtur në qytezën kroate Stubiçke Toplice, më 19-20 janar të vitit 1991, e ku morën pjesë krerë politikë, përfaqësues partish dhe aktivistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova, kreu i atëhershëm i LDK-së, Ibrahim Rugova, kishte treguar se si në çdo takim me ndërkombëtarët janë me të Rexhep Qosja e Mark Krasniqi ndër të tjerë.

“Do të vinë edhe le të vinë edhe unë i ftoj ata të vinë. Mahmuti është sot këtu, tjerët s'kanë ardhur, ne i kem ftuar edhe tjerët. Po të kishim asi, s'do të ishte Mahmuti Bakalli as dikush tjetër. Me të gjithë bashkëpunojmë, me të gjithë veprojmë. Ne marrim edhe njerëz që s'janë as anëtarë, po i çojmë në delegacione, i çojmë në përfaqësime, i çojmë gjithkund. Tjetër, njerëzit që nuk duan të kyçen askund s'kemi çka t’i bëjmë. Edhe në situatat më të rënda populli ka edhe kësi njerëz do të ketë. Do të ketë edhe hajna, hoshtaplerë qysh kemi edhe sot. Po dalin e po manipulojnë mendime. Nuk jemi idealë këtu. Për fat të mirë shumica jemi në anën e mirë. Edhe sot pa marrë parasysh a jemi parë (v.j takuar) ndonjëherë një shqiptar me një tjetër, mendojmë përafërsisht njësoj. Po them: duhet të mendojmë shumë kur duam të kalojmë prej diçkaje në diçka tjetër edhe ta harmonizojmë në mes atë që e kemi arritur, me atë që duam ta arrijmë. Për të tjerët që i përmendët konkretisht, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Mark Krasniqi, të gjithë kanë qenë të kyçur te unë. Ne i kemi atje, se në Kosovë po vinë ma shumë, përfaqësuesit e shteteve, qeverive e tjera, në çdo takim janë aty”, tha Rugova.

Desku i KOHËS ka paraqitur dokumentarin “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”. Materialin e plotë të dokumentarit, që është xhiruar nga organizatorët e takimit – Lidhja e Shqiptarëve në Kroaci, me kameramanë Fatmir Lamën dhe Milazim Salihun – do ta shfaqim të plotë në Premiumin e portalit tonë koha.net prej të hënës së ardhshme.