Një muaj paraburgim i është caktuar shoferit të autobusit, i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin rrugor në Kroaci, ku si pasojë vdiqën dhjetë persona e u lënduan 45 të tjerë.
Në intervistimin nga Prokuroria të hënën, ai ishte mbrojtur në heshtje.
E një ditë më pas, njëri prej avokatëve të tij e ka mohuar se shoferi kishte thënë që për një moment e zuri gjumi.
Igor Cishper u tha mediave kroate se në asnjë moment klienti i tij nuk i kishte thënë se ka fjetur.
Ekspertët e komunikacionit thonë se shoferët e automjeteve nuk duhet të ngarkohen me orare të stërzgjatura.
“Sipas Ligjit mbi transportin rrugor, neni 57 paragrafi i parë tregon që një ngasës ka të drejtë që të ngasë autobusin 4 orë e gjysmë pandërprerë, pastaj i ka 45 minuta pushim edhe i ka prapë 4 orë e gjysmë, që i bie 9 orë , mirëpo ka raste kur ligji e lejon, paragrafi 56 e lejon të ngaset edhe 10 orë dy herë në javë, por pa qenë orët e ngjeshura, që në total i bie që nga 5 orë plus pauzat. Pas kësaj periudhe patjetër duhet t’i bëjë 9 orë pushim”, thotë eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti.
Muhamed Krasniqi, ekspert i komunikacionit, thotë se rripat e sigurisë ofrojnë siguri maksimale për pasagjerët.
“Secili mjet motorik, përfshirë edhe mjetet për transportin e udhëtarëve, duhet të plotësojnë kriteret e sigurisë së lëvizjes, rrjedhimisht duhet që gjendja e tyre teknike të garantojë pjesëmarrje të sigurt në trafik dhe siguri për të gjithë udhëtarët”, thotë Krasniqi. “Secili rrip i sigurisë i cili është i montuar fabrikisht në mjetin motorik asnjëherë nuk shërben si dekor, por shërben vetëm për të siguruar udhëtarët në hapësirën e brendshme të mjetit motorik, në rast të ndaljes së vrullshme apo aksidentit eventual. Nuk mund të flitet asgjë përderisa nuk kemi para vetes shkresat komplete të lëndës të këtij aksidenti, nuk i dimë zyrtarisht rrethanat dhe detajet e këtij aksidenti, por qëllimi i këtij rripi nga vetë fjala (emërtimi) kuptohet që ka për qëllim të sigurojë udhëtarët gjatë udhëtimit të tyre. Posedimi i kamerave në monitorimin e hapësirave brenda autobusit do të jepte përgjigje në shumë pyetje të ngritura lidhur me këtë rast.
Është obligim ligjor që secili operator transportues të ofrojë siguri maksimale për udhëtarët e vet gjatë udhëtimit. Operatorët transportues sigurisht që para çdo nisjeje me autobus duhet që krahas kontrollimit vizuel të mjetit të verifikojnë edhe sigurinë e pajisjeve me radh dhe me kujdes sipas listës kontrolluese.”
Aksidenti ka ndodhur të dielën në mëngjes në Slavonski Brod. Në autobusin e kompanisë “Deva Tours” ishin 67 udhëtarë që po vinin në Kosovë për pushime dhe dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq. Përpos tij vdiqën edhe nëntë udhëtarë.