Arbëri

Rrëfimet e familjarëve që humbën të dashurit e tyre në aksidentin tragjik në Kroaci

Rrëfimet e familjarëve që humbën të dashurit e tyre në aksidentin tragjik në Kroaci

Gëzimin e një suksesi të arritur në shkollë në Gjermani, Anjeza Bellanica, ishte nisur ta ndante me familjarët e saj që gjendeshin në Kosovë. Ajo është viktima e moshës më të re në mesin e 10 të vdekurve në aksidentin që ndodhi në Kroaci. Ishte nisur e vetme për në vendlindjen e saj.

Familjarët e 18-vjeçares nga Krusha e Madhe e Rahovecit, nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, por ata kanë thënë se ende nuk e dinë se kur trupi i viktimës do të vijë në Kosovë.

E të njëjtin fat e pat edhe Kujtim Kastrati, po ashtu nga Komuna e Rahovecit, i cili nuk mundi t’i shohë fëmijët e tij që gjendeshin në Kosovë. Ai ishte i ulur bashkë me Ahmet Hoxhën, nga Randobrava e Prizrenit, familjar i tij, e të cilët humbën jetën.

“Me Kujtimin kanë fol familjaret e vet ditën e aksidentit deri ne 5 e 30 në mëngjes, kur përmes mediave sociale në internet kam mësuar që ka bo ndeshje në Kroaci një autobus, deri në mbrëmje kur kanë ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme që e kanë konfirmuar vdekjen e tij”, ka deklaruar Sadik Kastrati, familjar i Kujtim Kastratit.

As Sevdail Rrustemi nga fshati Pakashticë e Epërme e Podujevës nuk ka arritur të vijë i gjallë në Kosovë ashtu siç u kishte premtuar motrave të tij derisa ishte duke udhëtuar nga Gjermania me autobusin e “Deva Tours”.

Ishte rreth orës 23:00 të së shtunës kur kishte kontaktuar për herë të fundit me motrat për t’ua dhënë këtë premtim dhe për t’ua treguar atmosferën që mbretëronte në autobus derisa po udhëtonin në rrugët e Austrisë. Por një telefonatë para orës 06:00 të së dielës kishte përmbysur gjithçka. Djali i tij, Arditi, ia kishte dhënë lajmin e hidhur xhaxhait Muhametit se “babai ka vdekur”.

“Mua diku 15 në 6 më ka telefonua djali i tij, nipi i vogli, më ka telefonua siç ka ndodh aksidenti, si ka ndodh aksidenti me një numër 049, më ka lajmëruar, nuk e di kush ia ka huazuar telefonin, edhe në atë moment mua më ka thirr edhe më ka thanë që ‘babi ka vdekur”, ka thënë Muhamet Rrustemi, vëllai i viktimës Sevdail Rrustemi.

Nga ky aksident pësuan edhe Valentina Zhubaj dhe vajza e saj Erlinda Binakaj nga fshati Baballoq, Komuna e Deçanit.

As Komuna e Gjakovës nuk shpëtoi nga kjo tragjedi e një dite më parë. Familjarët e viktimave teksa rrëfejnë bisedat e fundit me të afërmit, thonë se ende nuk e dinë se kur trupat e tyre do të arrijnë në vendlindje.

“Shumë kanë ardhur qytetarë, nuk e kemi përcaktuar të pamën se ende nuk e dimë trupi kur do të vije, nuk mund të them kurrgjë për momentin sa do të jetë e pamja për shkak se nuk e kemi trupin hala, nuk kemi ndonjë informacion kur do të vijë trupi”, është shprehur Ilir Sylmetaj, vëllai i viktimës Naser Sylmetaj.

"Ne fillimisht jemi njoftuar për aksidentin dje në mëngjes nga vëllai. Vëllain e ka informuar çika e tij që ka qenë në aksident edhe na ka informuar pastaj ai neve. Në mbrëmje na ka informuar vëllai që Erlinda Binakaj, vajza e vëllait dhe Valentina Zhubi Binakaj, gruaja e vëllait kanë ndërruar jetë”, ka shtuar Rasim Binakaj, familjar i viktimave.
Mëngjesin e së dielës në një aksident trafiku në Kroaci kanë mbetur të vdekur 10 bashkatdhetarë, të cilët ishin nisur për pushime në Kosovë.