Arbëri

Matija: Tragjedia do të ishte më e vogël nëse pasagjerët do të vinin rripat e sigurisë

Shefi i Shërbimit të Sigurisë në Trafik në Kroaci, Josip Matija, ka thënë se numri i viktimave në aksidentin në Slavonski Brod të dielën ka mundur të jetë më i vogël, po që se të gjithë do të ishin të lidhur me rripa të sigurisë.

“Një pjesë e udhëtarëve ranë nga ai autobus dhe ai u përplas në të. Nëse ata do të qëndronin brenda autobusit tragjedia do të ishte më e vogël. Autobusët nga viti 2008 duhet të kenë rripa të sigurisë. Ky autobus kishte rripa të sigurisë, por mesa duket pasagjerët nuk i përdorën ato”, ka thënë Matija në intervistë për televizionin “N1”.

Matija ka thënë se është aksidenti i dytë më i rëndë në Republikën e Kroacisë.

“Ky është aksidenti i dytë më i rëndë në Republikën e Kroacisë. Ne patëm një aksident kaq të tmerrshëm në vitin 2008, në të cilin vdiqën 14 shtetas çekë’, tha Matija.

Ai ka treguar se me rregulloret e BE-së përshkruhet se sa gjatë mund të lejohen shoferët të vozisin.

“Ata nuk duhet të kalojnë kohën e caktuar gjatë ndërrimit, e cila është 9 ose 10 orë. Fatkeqësisht, gjëra të tilla ndodhin dhe me gjithë të mirat që sjell trafiku, ai gjithashtu ka anën e tij të shëmtuar dhe kjo është vdekshmëria te njerëzit”, tha Matija.

Në aksidentin në Slavonski Brod, ku u përfshi një autobus i linjës Frankfurt – Prishtinë, vdiqën dhjetë persona, nëntë pasagjerë dhe një shofer, ndërsa u lënduan mbi 40 persona.