Arbëri

Vonesat në emërimin e dy anëtarëve të rinj të KQZ-së konsiderohen të paarsyeshme

I paarsyeshëm është duke u konsideruar mosemërimi i dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani, pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se lidhur me kompletimin e përbërjes së KQZ-së nuk ka asnjë hapësirë për vonesa të tilla, sidomos për shkak të procesit zgjedhor.

“Besoj që nuk ka nevojë për ta zgjatur më shumë këtë proces dhe duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur presidentja Osmani të përmbyllë kompletimin e KQZ-së, vonesat e të cilëve kanë ndikim të drejtpërdrejtë në punën e KQZ-së”.

Kushtetuesja, më 2 korrik ka bërë të ditur vendimin përmes së cilit ka hedhur poshtë kërkesën e Osmanit për interpretimin se si duhet të bëhet ndarja e vendeve në KQZ-së për grupet më të mëdha parlamentare në Kuvend. Derisa aktvendimin e plotë e ka publikuar të hënën, më 19 korrik.

Tri ditë më vonë, presidentes Vjosa Osmani i është drejtuar me një letër shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Përmes kësaj letre të siguruar nga KOHA, PDK-ja ka kërkuar që Osmani ta emërojë sa më parë përfaqësuesin e dytë të tyre në KQZ.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i vetëm i PDK-së deri më tani në këtë institucion, Arianit Elshani, thotë se mungesa e përbërjes së plotë rrezikon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 17 tetorit.

“Janë disa vendime jashtëzakonisht të rëndësishme për KQZ-në që determinojnë procesin zgjedhor, të cilët nuk mund të merren pa 2/3 e votave dhe në momentin që mungojnë dy anëtarë të KQZ-së kjo vendimmarrje vështirësohet, dhe rrezikohet e gjithë mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale andaj nuk ka arsyetim tjetër që e shtyn dekretimin e anëtarëve të PDK-së dhe VAKAT-it në këtë rast”.

Mosemërimin e dy anëtarëve të KQZ-së deri më tani, edhe pas publikimit të plotë të aktvendimit nga Kushtetuesja, e kanë arsyetuar nga Zyra e Presidentes.

Përmes një përgjigje me shkrim, këshilltari për media, Bekim Kupina, ka bërë të ditur se betimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së do të bëhet sapo të kthehet Presidentja nga Japonia.

“Presidentja Osmani ndodhet në Tokio, ku përveç pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, ka pasur dhe do të ketë një sërë takimesh bilaterale. Aktvendimin e kemi pranuar kësaj jave, në fund të orarit të punës. Një ditë pasi ka qenë festë zyrtare për ditën e Bajramit. Sapo ta analizoj aktvendimin e plotë, presidentja do t`i bëjë emërimet siç e parasheh ligji. Betimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së do të bëhet sapo të kthehet presidentja nga Japonia”, thuhet në përgjigjen e tij.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke mos llogaritur kryesuesin, përbëhet nga 10 anëtarë, 6 prej tyre sipas ndarjes së grupeve më të mëdha parlamentare në Kuvend e 4 anëtarë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.