Arbëri

Zgjedhjet lokale, DnV-ja kërkon të ketë më shumë gra në lista

Descriptive Text

Identifikimin e problemeve gjatë procesit zgjedhor dhe dhënien e rekomandimeve për zgjedhjet lokale e kanë bërë këtë të shtunë Demokracia në Veprim. Eugen Cakolli nga DNV ka thënë se me rekomandimet e dhëna synojnë të ndikojnë në avancimin e procesit zgjedhor.

Sipas Cakollit, një ndër problemet në sistemin zgjedhor lokal është përfundimi i parakohshëm i mandatave të kryetarëve si rezultat i problemeve me ligj të kryetarëve apo dorëheqjeve të tyre si dhe mënyra e zhvillimit të balotazheve një pjesë e së cilave, thotë ai, deformon vullnetin real qytetar.

"Subjektet politike do të duhej të arrinin marrëveshje parazgjedhore dhe këto koalicione të jenë koalicione programore e jo të realizuara në pazare të bëra më pas".

Një problem tjetër sipas Eugen Cakollit është edhe fillimi i parakohshëm i aktiviteteve të fushatës zgjedhor.

Rrezarta Delibashzade-Krasniqi ka përmendur përfaqësimin jo të barabartë gjinor sikurse për kandidatët gra për kryetare të komunave ashtu edhe për këshilltarët komunal e për KKZ-të.

"Integrimi i grave është në mungesë të platformës politike. Subjektet e kanë buxhetin e tyre por nuk e kanë të ndarë në aspekte gjinore. Kjo është edhe pengesë për të realizuar fushatë. Niveli i hyrave si kryesuese të vendvotimeve është vetëm 9 për qind", ka thënë ajo.

10 rekomandimet e DnV:

-Subjektet politike të arrijnë marrëveshje dhe koalicione parazgjedhore në mënyrë që kandidaturat të jenë rezultat i koalicioneve programore e jo të bazuara në pazare pas raundit të parë zgjedhor;

-Subjektet politike, sidomos ato që kanë pushtet në nivelin qendror apo atë lokal në komuna të caktuara, të mos përdorin resurset publike për qëllime të fushatës;

-Subjektet politike të ndërtojnë platforma të qarta e konkrete për adresimin e problemeve të qytetarëve, dhe t’i publikojnë ato në formate të shkruara apo online;

-Kandidatët t’i paraqesin të hyrat dhe shpenzimet e tyre të fushatës në kohë reale, si vlerë e shtuar e procesit.

-Subjektet politike t’u ofrojnë grave më shumë mundësi kandidimi si bartëse të listave, si dhe për si kandidate për pozitën e kryetarit të komunës;

-Subjektet politike të mos mjaftohen me përmbushjen e kriterit minimal ligjor prej 30% për kandidimin e grave për kuvendet komunale, por të avancojnë drejt aplikimit të modelit “zebër” në listat e kandidatëve, ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër;

-Subjektet politike të ofrojnë përkrahje të barabartë financiare për të gjithë kandidatët, dhe t’a bëjnë transparente mënyrën e shpërndarjes së tyre sidomos për kandidatet gra;

-Trajnimet për anëtarët e KVV-ve duhet të jenë më cilësore, duke i testuar në mënyrë më rigoroze njohuritë e fituara të komisionerëve. Përmbajtja e trajnimeve duhet të reflektojë edhe seriozitetin e problemeve në elemente të caktuara, sidomos në numërim dhe plotësim të formularëve të rezultateve. Gjithashtu, KQZ të krijojë “lista të zeza” të komisionerëve bazuar në performancën e tyre;

-Subjektet politike t’i përmbahen zotimit të tyre për përfshirje të grave në nivelin prej 40% në trupat menaxhuese të zgjedhjeve, e madje t’a avancojnë këtë përfshirje në proporcionin 50-50%;

-Komisioni i Pavarur i Mediave të bëjë monitorimi sistematik i mediave  gjatë fushatës zgjedhore lidhur me respektimin e rregulloreve në fuqi. KPM të monitorojë aktivitetin e subjekteve politike edhe në rrjete sociale.