4 perditesime
17:23

Kuvendi miraton Ligjin për heqjen e homologimit për automjete

Me 75 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Automjete që heq homologimin për mjetet rrugore të reja dhe të përdorura.

Ky projektligj është miratuar në parim javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, për të cilin gjatë ditës nuk kishte kuorum.

16:41

Miratohet projektligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në parim Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Mbështetje këtij projektligji nga opozita i ka dhënë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa është kritikuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa tha se përmes tij synohet që të ndërtohet besimi i publikut në sigurinë e transaksioneve digjitale dhe që sa më shumë nga bizneset të përdoret nënshkrim elektronik.

“Ka për qëllim rregullimin e disa fushave, mënyrës së identifikimit dhe skemave të identifikimit elektronik të personave juridik dhe personave fizik, të kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, të vulës elektronike, të vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre. Si dhe të kushteve për lëshimin dhe përdorimin e certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqeve të internetit, shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike. Ky ligj zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike, mirëpo dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për shërbimet e besuara që ofrohen brenda një sistemi të mbyllur ose një rrethi të kufizuar pjesëmarrësish të cilat mund të përcaktohen me marrëveshje ose rregullore të brendshme dhe nuk ndikojnë në palët e treta jashtë atij sistemi”, tha ministrja.

Ajo tha se i njëjti projektligj nuk ka kosto shtesë për buxhetin e Kosovës, por që për zbatimin e dispozitave të këtij projektligji qeveria ka arritur të fitojë një grant nga Komisioni Evropian në vlerë prej 4 milionë euro.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se ky projektligj e rregullon nënshkrimin elektronik dhe se është tejet i rëndësishëm në kohën e pandemisë.

“Miratimi i këtij ligji e ndryshon përmbajtësish rregullativën e brendshme mbi transaksionet elektronike sepse e rregullon nënshkrimin elektronik, vulat elektronike dhe është tejet i rëndësishëm sidomos në kohën e pandemisë dhe ekonominë digjitale”, tha ai.

Kritika për këtë projektligj ka pasur deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se i njëjti ligj që iu është ofruar sot në Kuvend është kthyer mbrapa së bashku me LVV-së në mandatin e kaluar.

“Ky ligj është kthyer një herë bashkë me grupin Parlamentar të PDK dhe LVV i kemi kthyer ish-qeverisë, i cili ligj sot na vjen 100 përqind me të njëjtat gabime, me të njëjtat veprime, me të njëjtat vërejtje. Edhe për më keq ju them me përgjegjësi të plotë që ky ligj kur ka hy në fuqi në Bashkimin Evropian është miratuar në 2014, 4 vjet BE-së ju është dashur me i dhënë afat ligjit për të hyrë në fuqi dhe ka hyrë në fuqi vetëm në vitin 2018. Pra, kjo direktivë 910 e përkthyer keq tek ne, 4 vjet i është dashur shteteve më të zhvilluara të botës me përgatitë akte nënligjore, me përgatitë tregun e punës, ndërmarrësit që ata me qenë të zbatueshëm dhe të implementueshëm. Në këtë ligj ose draft-ligj që na servohet neve sot qeveria jonë është shumë më e shpejtë se BE-ja dhe afatin për përgatitjen e akteve nënligjore e ka vetëm 6 muaj. Pra, nëse shteteve më të zhvilluara të Evropës ju është dashur 4 vjet përgatitje si ka mundësi, kush mund të ma arsyetoj këtë që Kosova me këtë infrastrukturë ligjore, me këto kapacitete, po kur ia shtojmë kësaj ngathtësinë e kësaj qeverie mundet për 6 muaj me i përgatitë 15 akte nënligjore”, tha ai.

Ai tha se është mirë që i njëjti projektligj të kthehet sërish tek qeveria dhe të përmirësojë të gjitha gabimet, që sipas tij, janë në këtë ligj.

Edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se i njëjti projektligj ishte kundërshtuar në të kaluarën nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi për të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por kemi disa çështje të cilat duhet t’i shqyrtojmë dhe të japim kontributin tonë në mes të dy leximeve. Janë disa çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen e të dhënave personale që mund të jenë brengosëse. Edhe përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale parashihen me projektligj, por kemi frikë se gjatë zbatimit jo çdo gjë do të mund të shkojë pa sfida të mëdha”, tha ajo.

Mbështetje këtij projektligji i ka dhënë shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se është tejet i rëndësishëm.

“E them me përgjegjësi të plotë se është ndër ligjet më të rëndësishme të cilin në seancën e fundit si zëvendëskryeministër e kam prezantuar këtu edhe e kam elaboruar rëndësinë e këtij ligji dhe rëndësinë e miratimit të këtij ligji. Andaj nuk kam qysh mos ta mbështes edhe si shef i Grupit Parlamentar po edhe si deputet këtë ligj me rëndësi të veçantë”, tha ai.

Po ashtu u miratua edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme./KSP

 

 

12:10

Kuvendi ratifikon Marrëveshjen IPA 2020

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare IPA 2020 mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 93 deputetë. Nga ta 89 kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Katër deputetë të Listës Serbe kanë qenë të pranishëm në sallë, mirëpo nuk kanë votuar për këtë marrëveshje.

Kuvendi i Kosovës me 60 vota për, asnjë kundër dhe me 8 abstenim ka miratuar edhe Projektligjin për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Në arsyetimin e tij për këtë projektligj, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se synohet që të rregullohet mënyra e funksionimit dhe licencimit të arkitektëve dhe inxhinierëve të cilët angazhohen në fushën e ndërtimit.

Po ashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 74 vota për kanë miratuar në parim Projektligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Qëllimi i këtij projektligji u tha se është zgjatja e afatit për shitjen e banesave dhe blerja e tyre me kushte të njëjta, siç janë procedurat në ligjin bazik. Ndërkohë, u përkrah edhe nga partitë opozitare.

U miratua në parim edhe projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës. 

10:53

Opozita kritikon Kurtin pas kthimit të tij në Kosovë

Po mbahet seancë plenare në Kuvendin e Kosovës. E me të nisur, opozita ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për vizitat 2-javore jashtë vendit, i cili sot që i pranishëm në seancë.

Abelard Tahiri nga Grupit Parlamentar i PDK-së, e ka filluar fjalimin para deputetëve duke i uruar mirëseardhje kryeministrit. Tahiri ka thënë se vizitat e tij nuk ishin të interesit shtetëror, ndërsa kritikoi Kurtin për papërgjegjshmëri.

“14 ditë vizitë jashtë vendi për një kryeministër do të ishte e arsyeshme po të merrte pjesë në një konferencë për të mbrojtur interesat shtetërore e kombëtare. Nuk e di çfarë interesi kombëtarë e shtetëror ka Kosova në një mbledhi të majtësh. Ajo çka nxori në pah gjatë kësaj guide turistike nuk qe përfaqësimi i Kosovës por atë që përfaqëson Kosova e qytetarët e saj për këtë kryeministër, pra asgjë. Për rastin e Deçanit e bëtë një postim po për vërshimet as postim nuk bëtë kryeministër. Kjo tregon papërgjegjësinë tënde kryeministër. Edhe si opozitar normalisht nuk do dëshiroja që papërgjegjësia të shkoj deri në këtë nivel”, ka thënë ai.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se Kurti e ka nisur gabim dialogun, ndërsa u ankua se nuk po bashkëpunon me opozitën për këtë proces.

“Kryeministër qysh shkoi takimi me Vuçiqin... po ju pyes se juve nuk ju shkon në mend të bashkëpunoni me opozitën. Z. Kurti e keni nisur gabim dialogun. A i përmende të pagjeturit në takim? E konsideroj se është e dëmshme edhe për demokracinë, prandaj edhe mungesa e transparencës e vë në dyshim këtë proces”, ka thënë Krasniqi.

Kritika në adresë të kryeministrit ka bërë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra. Ajo ka folur për vizitat e njëpasnjëshme të Kurtit në Greqi, Francë e Belgjikë.

“Z. kryeministër gjatë kohës që ju keni parakaluar në tapetin e kuq shumë qytetarë janë përballur me përmbytje të jashtëzakonshme. Jju keni zgjedhur t’i braktisni ata dhe kjo është shpërfillja më e madhe që ju po ua bëni atyre që janë goditur rënd e që u janë dëmtuar kulturat bujqësore”, ka thënë Deliu-Kodra.

08:06

Sot seancë e re me 12 pika në rend të ditës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot sërish për seancë të re.

Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe në rend të ditës janë 12 pika.

Seanca pritet të nis në ora 10:00.

Pos deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve parlamentare e miratimi të procesverbalit nga seanca e mëparshme, në rend të ditës janë edhe shqyrtimi i tetë projektligjeve.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës;

2. Pyetjet parlamentare;

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian;

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës;

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore;

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-012 për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit;

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-007 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë;

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike;

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme;

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-021 për tregti me jashtë;

12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete.