Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se në Serbi kanë ekzistuar deri më tani nëntë lokacione të dyshuara për varreza masive, prej të cilave shtatë kanë rezultuar me gjetje pozitive.
Gërxhaliu ka thënë në “Desku” të KTV-së se ka ende familje të cilat nuk japin gjak për identifikimin e të zhdukurve.
Sipas tij, llogaritet që mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit e tyre pa analiza dhe pa autopsi.
“Kanë qenë 9 varreza prej të cilave 7 kanë qenë të cilat kanë rezultuar me gjetje pozitive. Më pas është hapur Petrosevo ku janë tërhequr 76 trupa, në Batanicë 740. Si qeska që i kemi tërhequr kanë qenë mbi 1035 qeska dhe pastaj ka rezultuar se për shkak të shkapërderdhjes së pjesëve të trupit janë bashkuar dhe ka dalë numri i gjithmbarshëm rreth 743. 22 vite pas ballafaqohemi me një numër të madh të familjeve të cilat nuk japinë dhe më tutje gjak për identifikimin e tyre. Del që mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit e tyre pa analiza dhe pa autopsi”, ka thënë Gerxhaliu.
Ai ka thënë se është duke u punuar në 5 lokacione të tjera, afër Novi Pazarit dhe tek një minierë.
“Kemi kontrolluar por normal kërkon edhe procedurën e lëshimit të urdhëresës prej Serbisë. Kemi edhe stagnim tani për arsye se kinse ne në anën tonë në Kosovë nuk jemi duke bërë asgjë, në njëfarë forme të reciprocitetit”, ka shtuar Gërxhaliu.
Në Kosovë llogariten 1,632 persona të zhdukur si pasojë e luftës së fundit.