Këshilli Prokurorial e Këshilli Gjyqësor, të cilët i përfaqësojnë prokurorët e gjyqtarët në nivel vendi, nuk duan që t’i nënshtrohen një vettingu, i cili nuk do të bëhej prej vetë tyre. Nëpërmjet letrave të ndara, por me përmbajtje të ngjashme, ata i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, duke u pozicionuar më shumë për skenarin e tretë, që parashihet të realizohet nëpërmjet ndryshimeve ligjore, por në të cilin rast kompetencat do t’u takonin vetë KGJK-së e KPK-së
Këshilli Prokurorial dhe e ai Gjyqësor i Kosovës kanë dhënë shenja rezistence se nuk do të pranojnë proces vettingu nëse atë nuk e kryejnë vetë.
Ndaras, por siç ka mësuar KOHA, me përmbajtje të ngjashme, këto dy institucione kanë dërguar letra në Ministrinë e Drejtësisë, duke i shprehur opinionet e tyre për skenarët e propozuar për vettingun.
Qartazi e kanë thënë që janë kundër disa opsioneve, nga pesë sa janë propozuar për procesin e shumëpërfolur.
“Mbi bazën e tërë të lartcekurave mund të konstatojmë se disa nga opsionet e propozuara në draft-konceptin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës (Qershor 2021), duket se e cenojnë tej mase parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës, në raport me pushtetet e tjera. Në këtë mënyrë, jetësimi i opsioneve, të cilat janë në kundërshtim me rregullimin kushtetues, e që prekin pavarësinë e sistemit gjyqësor, mund ta rrezikojnë funksionimin e mirëfilltë të shtetit të së drejtës dhe cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve”, thuhet në letrën e KGJK-së drejtuar MD-së.
Janë pozicionuar më shumë për skenarin e tretë, që parashihet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve ligjore, e që kompetencat u takojnë vetë KGJK-së e KPK-së.
Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se i ka pranuar komentet nga këta dy këshilla.
“Komentet e Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor kanë të bëjnë më shumë me atë se si duhet ta bëjmë një vetting përmes ndryshimeve ligjore, pa pasur nevojë të kemi ndryshime kushtetuese”, ka thënë Nimoni.
Nga pesë skenarët e propozuar, dy parashohin që ky proces të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese, ashtu që trupat e krijuar të kishin të drejtë t’ua pushonin mandatin zyrtarëve që dështojnë në verifikim. Këto instanca do të ishin jashtë KGJK-së e KPK-së.
Skenari që po e preferojnë prokurorët e gjyqtarët është që verifikimi të bëhet nga trupat e brendshme, e MD-ja ende nuk ka vendosur se me cilin skenar do të vazhdojë.
“Realisht propozimi i Këshillave është që vettingu të kalojë përmes mekanizmave aktualë dhe deri diku që të ketë ndonjë njësi e cila do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, ka shtuar Nimoni.
Por, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë që Ministria e Drejtësisë nuk duhet ta lejojë një formë të tillë vettingu, pasi që sipas tij, KPK-ja e KGJK-ja kanë dështuar me vite të tëra ta bëjnë verifikimin në bazë të mekanizmave të brendshëm.
“Ne jemi dëshmitarë të asaj që kanë ekzistuar mekanizma edhe më herët e ekzistojnë edhe tani, që praktikisht do të ishte dashur ta kontrollojnë integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por këta mekanizma nuk kanë funksionuar dhe prapë vazhdojnë të mos funksionojnë dhe për këtë arsye, e kemi këtë gjendje që e kemi”, ka thënë Zekaj.
Vettingu është një nga premtimet kryesore të Qeverisë Kurti. Një gjë të tillë VV-ja pati premtuar disa herë ta bëjë nga mekanizma që do të krijoheshin, e jo nga trupa që deri më tani kanë ekzistuar, por kanë dështuar ta bëjnë një gjë të tillë.