4 perditesime
15:59

Paralajmërohet vazhdim i aksionit për ndërtimet pa leje

Lumturie Vuçetaj, prokurore Departamentit për Krime të Renda në Pejë, ka thënë se janë ndaluar 10 persona zyrtarë duke shtuar se janë në fazën e grumbullimit të provave nën dyshimin se kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë keqpërdorur detyrën.

Ajo ka thënë se ka pasur edhe konflikt interesi.

“Jemi në fazën e parë të grumbullimit të provave. Janë katër drejtorë të Drejtorive të Urbanizmit dhe të tjerët janë zyrtarë. Ne jemi në drejtim të zbardhjes së këtyre çështjeve”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se kanë bazë dhe material që aksioni të vazhdojë.

Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, është përgjigjur edhe lidhur me rastin në Deçan. Ai ka thënë se po punohet të kuptohet nëse shkaktar ka qenë njeriu për kontaminimin e ujit që çoi në helmimin e mbi 1500 personave.

“Menjëherë pas marrjes së informatave në Deçan kemi angazhuar prokurorë për marrjen me këtë çështje. Jemi duke punuar intensivisht dhe jemi duke hetuar nëse ka qenë faktori njeri fajtor për këtë çështje”, ka thënë ai.

14:27

10 të arrestuar në Pejë, Klinë, Istog e Deçan, mes tyre 4 drejtorë të Urbanizmit

KOHA merr vesh se deri më tani në aksionin që është zhvilluar në 4 komuna të Kosovës me urdhër të Prokurorisë së Pejës, janë ndaluar 10 persona.

Në mesin e 10 personave  të arrestuar, 4 prej tyre janë drejtorë të Urbanizimit të komunave Istog, Pejë, Deçan e Klinë.

Për detaje të tjera Prokuroria Themelore në Pejë, ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media duke filluar nga ora 15 e 30.

13:29

Dy të arrestuar në Pejë pas bastisjes së policisë

Në Pejë ka përfunduar aksioni i policisë dhe prokurorisë për gjetje të provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas bastisjeve në Drejtorinë e Urbanizmit dhe në inspektoratin komunal, janë arrestuar një zyrtare në drejtori dhe një inspektor i ndërtimit me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtime të paligjshme.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës, të enjten janë kryer bastisje në tri komuna, Pejë, Klinë dhe Istog.

11:45

Prokuroria konfirmon bastisjet në Pejë, Istog e Klinë

Në tri lokacione në tri komuna të ndryshme janë duke u kryer bastisje me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës. 

Kjo prokurori përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

Për këto veprime në terren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet opinionit publik me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme për rezultatet dhe veprimet e ndërmarra.

KOHA merr vesh se këto bastisje po kryhen për ndërtimet pa leje në këto komuna.

10:48

Aksion i Njësisë së Krimeve Ekonomike në tri komuna

Departamentin Special i Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke zhvilluar aksion në tri komuna.

Zyrtarë të Krimeve Ekonomike tashmë gjenden në zyrat e Komunës së Pejës.

Siç mëson KOHA nga burimet e saj, aksioni është duke u zhvilluar për ndërtimet pa leje.