ZKA: Avancat dhe moskryerja me kohë e pagesave, shkeljet kryesore në Kryeministri gjatë 2020-s

Mos mbyllja me kohë e avanceve të udhëtimeve zyrtare, gabime materiale në shpalosjen e informatave financiare dhe mos kryerja e pagesave brenda afateve ligjore janë disa prej gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit bërë Zyrës së Kryeministrit për vitin 2020.
Ky raport i auditimit ka gjetur se në raportin vjetor financiar për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2020 të ZKM-së janë identifikuar gabime materiale në shpalosjen e informatave financiare.
Këto kishin të bënin me mos prezantimin e shpenzimeve për Covid 19, në vlerë 41,580 euro dhe shpenzimet për rimëkëmbje ekonomike në vlerë 2,602,441 euro, mbivlerësim i shumës së të hyrave të mbetura për bartje për 5,921,626 euro, nënvlerësim të saldos së pasurisë me vlerë nën 1,000 euro prej 40,607 euro, mos regjistrim të stoqeve në E-pasuri prej 231,092 euro dhe mbi vlerësim të numrit aktual të punëtorëve.
Në 35 pagesa në vlerë prej 254,572€, auditori ka gjetur se urdhër blerjet ishin proceduar pas pranimit të faturës.
“Këto raste kishin ndodhur tek pagesat për shërbime të identifikimit të kafshëve, matrikulimin e gjedheve, analiza laboratorike, pajisje, etj. Shkaku i dobësive në procedimin e pagesave ka ndodhur si rezultat i kontrolleve të dobëta në procesin e realizimit të blerjeve” thotë auditimi.
Sipas auditorit procedimi i pagesave si më sipër, paraqet shmangie të procedurave të përcaktuara me rregullat financiare dhe rritë rrezikun që të pranohen mallra apo shërbime jo në pajtim me kushtet e kontraktuara.
Gjithashtu për subvencionin në vlerë prej 38,000€, vlera prej 7,200€ nuk ishte dëshmuar sipas marrëveshjes, në dy raste të subvencionimit të OJQ-ve me vlerë të përbashkët prej 30,000 euro mungonin raportet tremujore, ndërsa në 13 raste mungonin raportet narrative financiare të personave fizik dhe dëshmitë për realizimin e projekteve.
Auditori vë në pah se në 45 pagesa në vlerë prej 530,422 euro faturat ishin paguar me vonesë deri në 90 ditë.
“Nga mostrat e testuara të avanceve për udhëtime zyrtare në ZKM, në 3 raste kemi vërejtur se avancet e dhëna në shumën 5,351 euro nuk ishin arsyetuar dhe mbyllur me kohë. Vonesat ishin nga 19 deri në 93 ditë. Kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së zyrtarëve për mbylljen me kohë të avanceve dhe aplikimit të dobët të llogaridhënies nga departamenti i financave ndaj zyrtarëve shfrytëzues të këtyre avanceve” thotë raporti i ZKA-së.
ZKA ka testuar 45 mostra të Zyrës së Kryeminsitrit dhe AUV-it të cilat kapnin vlerën prej 530,422 euro.
Këtu auditori ka gjetur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
“Vonesat kryesisht janë deri në 90 ditë, ndërsa njëra prej tyre në AUV ishte obligim i papaguar që nga viti 2018. Shkaku i dobësive në procedimin e pagesave me vonesë ishin kontrollet e dobëta në menaxhimin të buxhetit, si dhe neglizhenca në likuidimin e faturave me kohë. Mos pagesa e obligimeve brenda afatit ligjor, rritë mundësinë që furnitorët t’i drejtohen përmbaruesve dhe gjykatave, dhe ekzekutimi i detyrimeve përmes këtyre procedurave mund të krijojë shpenzime shtesë për buxhetin e ZKM” tërheq vërejtjen ZKA.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sipas ZKA-së nga 71 mostra 54 prej tyre në vlerë prej 993,580€ të cilat janë të paraqitura në regjistrin e pasurisë kapitale, AUV nuk ka ofruar dokumentacion mbështetës për to.
“Këto pasuri ishin të regjistruara në vitet e mëhershme (para vitit 2010). Si pasojë e mungesës së dokumenteve burimore të pasurive, gjatë ekzaminimit fizik të tyre, në pesë (5) raste në vlerë neto kontabël prej 18,394€ të pasurisë mbi 1,000€ zyrtarët e AUV nuk ishin në gjendje të identifikonin fizikisht pasuritë. Prej tyre, klima komora me numër të njëjtë serik ishte e regjistruar dy herë në SIMFK me vlerë neto kontabël prej 12,825 euro” thotë raporti i auditimit.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ZKA nuk ka arritur të marrë dëshmi audituese për pasurinë kapitale të regjistruara para vitit 2010 në vlerë neto prej 993,580 euro dhe gjithashtu nuk ka mundur ta bëjë ekzaminimin fizik të pasurive në vlerë prej 18,394 euro.
Auditori gjithashtu ka vënë në pah se në AUV pasuria në vlerë bruto prej 119,000 euro ishte regjistruar gabimisht si pasuri në përdorim, ndërsa është dashur të regjistrohet si investim në vijim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Ekspertët e Këshillit të Evropës e cilësojnë të tepruar përdorimin e forcave policore në veri

Kusari-Lila: Kurti s’bëri kompromis, në draftin e Asociacionit s’ka autonomi për serbët

Haradinaj i bën thirrje Kurtit që t’ua plotësojë kërkesat policëve
