Urimet për bashkim mes shqiptarëve kanë karakterizuar ditën e 28 Nëntorit që shënon tri festa, atë të Flamurit, ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, e daljen e parë publike të UÇK-së.
Disa nga Prishtina e disa nga Prekazi e Gllogjani, liderë të institucioneve e subjekteve politike në vend, kanë shënuar datën 28, datë kjo e cila si asnjëherë më parë Kosovën e Shqipërinë i gjen duke u përballur me një betejë, atë ndaj Covid-19, raporton KOHA.
Derisa ka publikuar telegram-urimin për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, u. d e presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se duhet të jemi krenarë me atë që jemi si popull e vlerat që ia kemi dhënë qytetërimit perëndimor.
28 Nëntorin, kryeministri Avdullah Hoti e ka nisur me homazhe te shtatorja e Skënderbeut, Ibrahim Rugovës e kompleksi i Jasharëve.
Homazhe në Prekaz ka bërë edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurse kreu i LDK-së, në urimin e tij ka thënë se shqiptarët si kurrë më parë sot mund të krenohen me shtetet shqiptare e të arriturat e tyre.
Muajin e festave, të rëndë e ka konsideruar kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, duke iu referuar mungesës së katër figurave të UÇK-së. Nga vizita e tij në Prekaz, Hoxhaj ka ftuar shqiptarët që hidhërimin e lëndimit ta kthejnë në forcë e vullnet për ta bërë Kosovën më të fortë.
Nga Gllogjani festën e flamurit e ka uruar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kurse, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, në urimin e tij, ka kërkuar që qytetarët e Kosovës të mos harrojnë sakrificat e bëra për të arritur këtë ditë.
28 nëntori në Kosovë është shënuar edhe përmes aktiviteteve kulturore.