Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, është shprehur i habitur pse Kuvendi i Kosovës po i jep hapësirë ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, për “kampanjën e tij dezinformuese”.
Të hënën, Simmons para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Komisionin për Legjislacion, ka folur për skandalet e EULEX-it në Kosovë duke thënë se ka pasur ndërhyrje politike, manipulim provash e ndikime te dëshmitarët. Simmonsi u shpreh se “EULEX-i ka pasur synim të largonte nga politika ‘peshqit e mëdhenj’”. Ai i ka quajtur të turpshme vendimet në rastin e Drenicës e të Kleçkës. Megjithatë, të gjitha akuzat i ka hedhur poshtë Zyra e EULEX-it në Kosovë, që i ka quajtur deklarimet e tij të pavërteta dhe vetëm mendime personale.
E përgjigje bindëse dhe të përgjithshme e ka cilësuar reagimin e EULEX-it ndaj Simmonsit, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në një postim në Twitter ai është shprehur i habitur se “përse ende Kuvendi i Kosovës i ofron ish-gjyqtarit Simmons një platformë për të vazhduar me kampanjën e tij dezinformuese”.
Very convincing and comprehensive #EULEX rebuttal of the unsubstaintiated allegations. I just wonder why the Kosovo Assembly @KuvendiRks still provides former judge Simmons with a platform to continue this disinformation campaign. https://t.co/wB3kOZQnWD
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 13, 2021
Ndërkaq në një përgjigje ndaj këtij shkrimi, Simmons ka kërkuar hetim publik për të dëgjuar edhe versionet e shteteve anëtare, teksa ka shtuar se “e-mailat dhe dokumentet janë që t’i shohin të gjithë”.