Arbëri

Petkoviq përqesh dhe akuzon zyrtarët kosovarë për mosthemelimin e Asociacionit

 

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, nga Zveçani ka përqeshur dhe akuzuar zyrtarët e Kosovës për mosthemelimin e Asociacionit. Derisa Petkoviq ka mohuar të jenë vënë kushte rreth Asociacionit, zëvendëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ka përmendur sërish shuarjen e strukturave paralele

Me ndarje dekoratash e mirënjohjesh për presidentin e Serbisë, autoriteti paralel i Komunës së Zveçanit u është kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarëve kosovarë rreth shuarjes së strukturave ilegale. Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të kësaj komune, Vuçiq, që u nderua me çmimin “Qytetar Nderi”, nëpërmjet një letre i ka siguruar serbët se derisa “t’i ecë fjala, flamuri i Serbisë do të valojë në Zveçan”.

"Çfarëdo që të flasin gjuhët e liga, dhe ata madje as nuk meritojnë që ne t'ua përmendim emrat në këtë ditë të madhe, Kosova dhe Metohija do të jenë, si më parë, mendimi im i parë kur hap sytë në mëngjes dhe mendimi im i fundit kur unë mbyll sytë në mbrëmje. Fjala dhe vullneti im do të respektohen, vetëm flamuri trengjyrësh serb do të valëvitet në Zveçan, sepse nëse Zveçani nuk është Serbi, atëherë çfarë është Serbia”, ka shkruar Vuçiq në letrën të cilën e lexoi drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka polemizuar edhe me zëvendëskryeministrin për dialog, Besnik Bislimi.