Arbëri

Gjoshi i quan me prapavijë deklarimet e Gërvallës për pranimin e Kosovës në BE

Sekretari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kritikuar deklarimet e ministres së Jashtme, Donika Gërvallës, e cila sot tha se Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Gjoshi ka shkruar se këto deklarime janë me prapavijë, pasi që sipas tij, Gërvalla po mundohet ta paraqesë liberalizimin e vizave “si një sukses të Qeverisë Kurti dhe jo si karotë për lëshimet që priten në dialogun me Serbinë”.

Ai ka shtuar se kushtet për procesin e liberalizimit të vizave janë plotësuar në Qeverinë Thaçi.

“Deklarata e ministres së jashtme, Donika Schwarz, se Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj dhe nuk duhet të fajësohet BE-ja është me prapavijë. Shwarz po mundohet ta paraqesë liberalizimin e mundshëm të vizave si një sukses të Qeverisë Kurti dhe jo si një karotë për lëshimet që po priten në dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale”, ka shkruar tutje.