Arbëri

Përplasen anëtarët e KQZ-së, shkak agjenda

(Ekonomiaonline) - Anëtarët e KQZ-së nga VV-ja sërish kanë pasur përplasje me anëtarët e tjerë të këtij institucioni, me atë të LDK-së dhe të PDK-së.

Krejt kjo përplasje ka ardhur si shkak i përpilimit të agjendës. Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, tha se rendi i ditës duhet të përpilohet karshi nevojave të KQZ-së e jo të vendos anëtari Alim Rama.

“Te diskutojmë për formimin e këshillave. Në këshilla imponohen agjenda partiake dhe takimi i këshillit për operacione zgjedhore nuk ka arrit m’u mbajt. Problemi është mënyra e përpilimit të rendit të ditës.”

“Zotimi publik çfarë ne e kemi pas në mbledhjen e fundit ka qenë për sekretariatin e jo për zotin Rama çka do me vendos vet pika të rendit të ditës. Rendi i ditës përpilohet bazuar në nevojat e institucionit. Pikë të veçantë ta kemi funksionimi i këshillave”, ka thënë ai.

Arianit Elshani nga PDK-ja tha se tendencat politike duhet të ndalen.

“Keni shpreh pakënaqësinë me udhëheqjen e këshillit për operacione zgjedhore. Imponimi dhe tendencat politike duhet të ndalen. Një pikë e veçantë në rend dite të jetë diskutimi i funksionimit të këshillave. Po vërehet se këto këshilla kështu siç janë nuk janë funksionale”.

Ndërsa edhe Alim Rama tha se agjenda duhet të jetë e njëjtë me atë që është dërguar në e-mail, derisa e ka quajtur të mangët. Derisa Kurteshi kërkonte sqarime për një pikë të rendit të ditës, ishte Elshani ai i cili donte që t’i jepte sqarime lidhur me atë çështje.

Por, Kurteshi e ndërpreu atë duke i thënë se ai nuk mund të sqarojë, për shkak që siç tha ai, Elshani nuk ka as përvojë e as fjalorë më të gjerë se ai.

“Pse po e sqaron ti kur unë jam duke e diskutuar një çështje. Ma mirë s’mundesh ta sqarosh. Mua po më intereson z.Ahmetaj se po përzihet lista e votuesve. A është bre e mundur mos me ndërhy. S’mund ta shkurtosh se në të vërtetë nëse ndërhynë nuk e sqaron”.

“Nëse e njeh aspektin teknik shumë më mirë se unë. Çështja e tretë është nëse ke fjalor shumë më të pasur me nja 20 mijë fjalë, e unë i përdori nja 3 mijë. Ma bre, ma bre se nuk e ki as përvojën. Ma allahile, le këtë punë. Kur i ki krejt gabim unë nuk të ndërpres sepse është mendimi yt”.

Kur u votua rendi i ditës, anëtarët e VV-së kanë abstenuar.