Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetë shqiptarë e boshnjakë të Serbisë vizitojnë Kosovën, Qeveria thotë se ata e njohin pavarësinë

Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë, shqiptarë e boshnjakë kanë vizituar të mërkurën Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti. E në njoftimin që Qeveria ka dërguar për media thuhet se “gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti”.

Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se në vizitë te Kurti kanë qenë Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar - SDA Sanxhak”, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami dhe Selma Kuçeviq.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“...ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimit, Ugljanin ka falënderuar Kurtin për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai ka thënë se “boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë.”

“Z. Ugljanin theksoi se deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi”, thuhet më tej në komunikatë.

Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve, ka thënë Ugljanin, sipas komunikatës, që shton se e ka vlerësuar qasjen e Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë e në Serbi. Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan, shtoi ai.

Deputetët e kanë njoftuar Kurtin për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, me Këshillin Nacional Boshnjak që ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv, ndërsa Asambleja e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë.

“Kryeministri Kurti tha se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi. Ai ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit. Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën, tha kryeministri Kurti”, përfundon komunikata.