Arbëri

Dialogu teknik rikthen kërkesat e mëhershme të Serbisë

Dialogu - Kurti - Vuçiq
 

Delegacioni kosovar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, do të takohet të martën me përfaqësues të Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut teknik. Një ditë më vonë emisari i BE-së do ta ndërmjetësojë edhe një takim me palën serbe të udhëhequr nga Petar Petkoviq, i cili ka paralajmëruar se temë kryesore do të jetë Asociacioni

Tema të cilën Qeveria synon ta shmangë në çdo takim pritet të shtrohet për diskutim nga pala serbe, në kuadër të dialogut teknik që nis të martën. Derisa pala kosovare nuk ka treguar për çështjet që synon t’i ngrejë, Petar Petkoviqi ka paralajmëruar se çështja kryesore është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, të martën bëhen 3000 ditë që nga nënshkrimi i marrëveshjes, teksa ka akuzuar Prishtinën për mospërmbushjen e saj.

“Prishtina nuk e ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe gjashtë pikat e para që i referohen Asociacionit. Sigurisht që do të jetë tema kryesore për ne. Ne gjithashtu do të flasim për të zhdukurit, sepse është një çështje e rëndësishme që rëndon të dyja palët dhe nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje e civilizimit”, ka thënë Petkoviqi për mediat serbe.