Arbëri

Çka parasheh statuti i PDK-së nëse kandidon një tjetër delegat për kryetar në momentin e fundit

Partia Demokratike e Kosovës po mban Konventën për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë.

Sipas afatit të përcaktuar, deri të enjten në orën 17:00, kandidaturën për kryetar e ka paraqitur vetëm Memli Krasniqi, çka nënkupton se PDK-ja do të votojë pro apo kundër vetëm një kandidati për kryetar.

Megjithatë, ekziston mundësia që Krasniqit t’i bëhet ndonjë kundërkandidat sipas rregullave që parashihen me statut e me vendimin që e merr Konventa si organi më i lartë.

Zëdhënësi i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë para mediave të shtunën se në rast se dikush shprehë gatishmërinë të kandidoj, i mbetet Konventës të vendosë për një gjë të tillë. Sipas tij, Konventa si organi më i lartë i partisë ka të drejtë të ndryshojë rregullat e partisë.

“Nëse ka rast të tillë, nëse dikush shpreh gatishmërinë që të garoj, ai ka mundësi që të pyes Konventën dhe të prezantojë nënshkrimet para Kryesisë së punës dhe Kryesia e punës e pyet Konventën, dhe pastaj mund të kemi më shumë se një kandidat”, ka thënë ai.

Statuti i PDK-së e bën të qartë që kandidaturat për kryetar të partisë paraqiten pesë ditë para mbajtjes së Konventës, bashkë me nënshkrimet e 50 delegatëve.

“Kandidaturat mund të paraqiten deri 5 ditë para mbajtjes së Konventës dhe duhet t’i paraqiten Kryesisë Qendrore së bashku me nënshkrimet e 50 delegatëve”, thotë statuti, ndërsa nuk sqarohet më tutje se si mund vazhdojnë procedurat nëse një delegat paraqitet në momentet e fundit për të kandiduar.

Megjithatë, nënkryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, pret që për këtë çështje të respektohet statuti dhe rregullorja e PDK-së.

Kryetari i PDK-së zgjidhet nga Konventa e Përgjithshme e saj me votim të fshehtë. Nëse për Kryetar të Partisë ka vetëm një kandidat, Konventa mund të vendosë që votimi të bëhet me ngritje dore. Mandati i Kryetarit të PDK-së zgjatë katër vjet.

Në Konventë e dhjetë të PDK-së janë 794 delegatë të saj të cilët do të vendosin kur do t’i udhëheqë.