Arbëri

Komunitetet rom, ashkali e egjiptian “të përjashtuar” nga vaksinimi

Komunitetet pakicë po kërkojnë informim dhe kujdes më të madh nga institucionet sa i përket vaksinimit kundër COVID-19. E përgjegjësit e Qendrës së vaksinimit në Komunën e Fushë-Kosovës kanë thënë se mungon interesimin i komuniteteve rom, ashkali e egjiptian për t’u vaksinuar

Për dallim nga komuniteti serb që jeton në Kosovë, e që shumica janë vaksinuar kundër COVID-19 në shtetin e Serbisë, komunitetet e tjera pakicë, sidomos rom, ashkali dhe egjiptian, ende nuk janë vaksinuar. Qytetarët e këtyre komuniteteve në Komunën e Fushë-Kosovës kërkojnë të njoftohen për procedurat.

Bedri Berisha, qytetar i kësaj komune, thotë se edhe komunitetet e tyre duhet të kenë të drejtën e vaksinimit.

“Mu kanë me na lajmëruar se në cilin vend mundemi me apliku na ishim shku, por deri tash kurrkush lajmërim s’na ka bo”, thotë ai.

Sipas banorëve të Lagjes 28 e 29 të Fushë-Kosovës, institucionet duhet të interesohen më shumë për komunitetin e tyre dhe të kujdesen për ta edhe gjatë kësaj kohe të pandemisë.

Ibush Hasani thotë se nuk kanë kushte për të aplikuar në proceset që parashohin institucionet.

“Kushtet s’i kemi me mujt mu regjistruar, më mirë është me i marrë vaksinat..., më të sigurt jemi”, shprehet ai.

Por drejtuesit e Qendrës së vaksinimit në komunën e Fushë-Kosovës thonë se përkundër informimit me kohë të procedurave ka pasur pak interesim nga ky komunitet për t’u imunizuar.

Fitnete Simnica-Ferizi, përgjegjëse e vaksinimit në këtë komunë, thotë se interesimi është i vogël.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë të madhe prej komunitetit për t’u vaksinuar. Ata janë të informuar, janë kontaktuar edhe personat me sëmundje kronike nëse dëshirojnë të vaksinohen”, shprehet ajo.

Sipas saj, interesim më i madh në ditët e fundit për t’u vaksinuar, përveç kategorisë së personave me sëmundje kronike është edhe i atyre që aplikojnë për udhëtim jashtë vendit.

“Deri më tani kemi pasur më shumë me sëmundje kronike, ndërsa prej dje e sot më tepër kategorinë e moshës mbi 55, kurse këto ditët e fundit kemi pasur një fluks më të madh për aplikimin për viza në ambasada”, tregon ajo.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se janë në përgatitje të një fushate informuese “derë më derë” me qëllim të vetëdijesimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vaksinim.

“Ka, por më pak se nga ana e komunitetit shumicë në Kosovë. Për këtë qëllim është kah përgatitet një fushatë informuese dhe mbështetëse “derë më derë”, për vaksinimin kundër COVID-19 përmes ekipeve mobilie dhe vullnetarëve për të mbështetur komunitetet me vulnerabile për informim, mbështetje në regjistrim dhe vaksinim me qëllim të vetëdijesimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vaksinim”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 8.517 doza të vaksinës duke e çuar në rreth 190 mijë numrin e përgjithshëm të të vaksinuarve. Ndërsa deri tash mbi 45 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

MSH-ja njofton se 10 raste janë regjistruar me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërkaq nuk është regjistruar asnjë i vdekur.