Arbëri

Serbia shkel Marrëveshjen e Washingtonit

Në takimin e 4 shtatorit 2020, Kosova dhe Serbia kishin firmosur një listë zotimesh në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Një prej pikave në listën me zotime të marra nga Serbia, ishte që deri më 20 shtator, pra dy javë pas atij takimi në Washington, të hapë zyrë për tregtinë në Jerusalem, derisa deri më 1 korrik 2021 (sot), të zhvendosë ambasadën nga Tel-Avivi në Jerusalem.

Serbia nuk e ka bërë ende këtë dhe për pasojë i bie shkelje e këtij zotimi.

Kosova, në listën e zotimeve kishte njohjen nga Izraeli me kusht që ambasadën ta hapë në Jerusalem dhe këtë e ka bërë tashmë.

Jersualemi, një qytet i ndarë, synohet si kryeqytet nga Izraeli ashtu sikurse edhe nga shteti i ardhshëm i Palestinës.

Në Jerusalem, ambasadat i kanë hapur shumë pak shtete, ndërkohë që Perëndimi ka kritikuar Kosovën për hapje të misionit diplomatik në këtë qytet, që shpesh është bërë shkas për luftëra.

SHBA-ja është e para që ka zhvendosur ambasadën në Jerusalem.

Shtetet tjera që kanë marrëdhënie me Izraelin, ambasadat i kanë në Tel-Aviv, sikurse edhe Serbia.