Arbëri

Dështon sërish mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në mungesë kuorumit

Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Mbledhja e Kryesisë nuk pati kuorum që të mbahet. Do ta ngrisim përgjegjësinë edhe më lartë të pjesëmarrjes nëpër mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, sepse pa qenë grupet parlamentare më të vëmendshme dhe të vetëdijshëm për domosdoshmërinë që të marrin pjesë nuk mund të ketë funksionalizim të Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e Kryesisë është drita e gjelbër që e mundëson mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Shpresojmë që herë të tjera të kemi përgjegjësi më të madhe të të gjithëve meqenëse duke filluar nga momenti kur dalim para momentit të qytetarëve dhe poashtu kur e bëjmë betimin në Kuvendin e Kosovës janë akte të rëndësishme përmes të cilës deputeti i zgjedhur zotohet se do të kryej punët dhe përgjegjësit e veta me përgjegjësi të lartë. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ndodhet në Bruksel. Njëri prej nënkryetarëve të Listës Serbe morëm lajmin që disa arsye private nuk mund të merrte pjesë në seancë kurse nuk kemi informacione për nënkryetarin e grupit multi-etnik”, tha Konjufca.

Edhe pak ditë më parë dështoi një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se mazhoranca po tregon papërgjegjësi të madhe.

“Dështimi i radhës i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit tregon qartë se Republika e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës po udhëhiqet nga një mazhorancë e papërgjegjshme. Edhe mbledhjen e kaluar edhe në këtë mbledhje ishte prezentë opozita. Mirëpo, nuk ishin përfaqësuesit e pushtetit e as nënkryetarja nga Vetëvendosja e as partnerët nga komuniteti joshumiocë. Ka mosgatishmëri, mosvullnet e paditur të madhe në udhëheqjen e institucioneve të Kosovës. Jemi në situatë ku Republika e Kosovës ka shumë nevoja. Ka nevojë për angazhim të parlamentit në ekonomi, sundim të ligjit, arsim. Gjitha fushat. Mazhoranca është shumë e papërgjegjshme, pavarësisht se qytetarët i kanë besuar mbi 50 për qind. Kjo mazhorancë po i tregon qytetarëve se janë të papërgjegjshëm, të padijshëm, nuk ka vizion, nuk ka plan qeverisës. Thjeshtë i ka zënë zyrat qeverirtare e parlamentare e nuk dinë për çka janë ato”, tha Tahiri.