Arbëri

Shqipëria shpall ditët e hapura të vaksinimit për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka shpallur ditët e hapura të vaksinimit masiv kundër COVID-19, për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç në gjithë vendin.

Dita e martë dhe e mërkurë e javës së ardhshme, 29 dhe 30 qershor, do të jenë ditë të hapura për të gjithë që duan të vaksinohen, ka bërë të ditur ministrja Ogerta Manastirliu nga qendra e vaksinimit në Vlorë.

Të drejtën e vaksinimit do ta kenë të gjithë ata që aplikojnë në portalin “e-Albania”.

Në Shqipëri autoritetet kanë theksuar se sezoni i verës do të shfrytëzohet për vaksinim masiv, me premtimet për vaksinime edhe nëpër shtëpi, fshatra e sidomos për të moshuarit që s’mund të shkojnë në qendrat e vaksinimit.

Siç raporton tch, deri tash në Shqipëri janë dhenë 930 mijë doza të vaksinave ndaj COVID-19. Prej tyre 389 mijë qytetarë kanë marrë dy dozat e vaksinës. Shqipëria ka shfrytëzuar vaksina kineze, ruse si dhe ato “Pfizer” e “AstraZeneca”.