Arbëri

Babai është më shumë se hero për djaloshin me nevoja të veçanta, Riad Mehmetin

Riad Mehmeti, 17-vjeçari nga Prishtina me nevoja të veçanta, ndihet keq kur e sheh që në shekullin 21, nuk ekziston e drejta elementare e shkollimit për fëmijët me nevoja të veçanta, siç ekziston për çdo fëmijë tjetër.

Duke qenë vetë i shtyrë nga prindërit e tij që të shkollohet dhe të bëhet “i zoti i vetës” në të ardhmen, Riadi ka thënë në emisionin “Express” të KTV-së që kjo mundësi duhet t’i ofrohet secilit fëmijë që ndodhet në të njëjtat kushte fizike si ai.

“Është brengosëse që në shekullin 21 të mos ekzistojnë disa të drejta elementare siç është e drejta e shkollimit normal për fëmijët me aftësi të kufizuara sikurse për të tjerët”, ka thënë ai.

Ndërkaq, babai i tij, Hazir Mehmeti ka treguar për sfidat në të cilat ka kaluar me djalin e tij, e që kryesorja sipas tij, ka qenë shkollimi.

Mehmeti ka treguar se në fillim kishte vështirësi pasi jetonin në fshat dhe i duhej të udhëtonte disa kilometra për ta dërguar në shkollë të birin.

“Përballja më e vështirë ka qenë shkollimi se mendoja që nuk kemi të drejtë ta çojmë në shkollë, ndoshta duhet ta çojmë në një shkollë speciale, mirëpo në Hendikos kemi marr informatë që edhe ky ka të drejtë si të tjerët të shkojë në shkollë normale dhe e kemi regjistruar në klasën e parë megjithëse me një vit vonës”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka treguar se si e ka pritur djalin e tij para shkollës çdo ditë, derisa e ka kryer procesin mësimor ditor, për 8 vjet me radhë.

“Është dashur në atë kohë ta dërgojë vetë në shkollë, ta pres derisa ta kryen mësimin dhe ta marrë për ta kthyer në shpi, nonstop kam ndejtë në oborr të shkollës. Për 8 vite kam qëndruar ashtu për Riadin”, është shprehur Mehmeti.

Këtë dhe të tjerat që ka bërë për të babai i tij, Riadi e vlerëson tej mase, duke e cilësuar të atin si më shumë se hero për të.

“Për mu është prindi më i mirë që ekziston. Për mua është më shumë se hero, është prindi më i mirë që ekziston dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Është e drejta jonë elementare për të pasur qasje fizike dhe të drejtë për shkollim”, ka thënë Riadi.