Arbëri

KPK-ja me memorandum për ngritjen e standardeve të komunikimit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit mes organizatave përfaqësuese të shoqërisë civile dhe të komunitetit të gazetarëve, CIVIKOS dhe KMSHK.

“Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është ndërtimi i standardeve të komunikimit në mes të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit me shoqërinë civile dhe mediat, duke respektuar legjislacionin penal, Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve, Ligjin për Sinjalizuesit dhe ligjet e tjera”.

Kryesuesi ka thënë se me këtë memorandum synohet ndërtimi i kapaciteteve dhe i rrugëve të komunikimit për raportimin e rasteve të veprave penale te Prokurori i Shtetit, të identifikuara nga shoqëria civile dhe mediat, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e raportimeve dhe informacioneve që dërgohen në Prokurorinë e Shtetit, duke ndihmuar kështu në përfitimin e dyanshëm të nënshkruesve të marrëveshjes.

Në njoftimin e KPK-së thuhet se përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve kanë thënë se ky akt i hap rrugë dialogut të strukturuar dhe ngritjes së besueshmërisë së publikut në punën e sistemit prokurorial, me anë të të prezantimit dhe publikimit transparent të kësaj pune nga ana e shoqërisë civile dhe gazetarëve.

ashtu, ky memorandum është përkrahur në mënyrë të veçantë edhe nga përfaqësuesit e USAID-it, si një ndër mbështetësit kryesorë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke theksuar se do t’i mbështesin iniciativat e përbashkëta në mes të sistemit prokurorial, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve.

Në kuadër të nënshkrimit të këtij memorandumi është hartuar një formular bazik për mënyrën e raportimit të rasteve në prokurori, ku tregohet se si të emërtohen rastet e paraqitura nga mediat dhe shoqëria civile.