Kërkesës së opozitës për raportim në Kuvend lidhur me takimin e mbajtur në Bruksel më 15 qershor nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kryeministri Albin Kurti.
Nga zyra e tij kanë thënë se takimi i mbajtur një javë më parë mes Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishte takim në kuadër të dialogut.
Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, thotë se do ta shqyrtonin mundësinë e raportimit në rast se marrin ftesë për një gjë të tillë nga Kuvendi ose Komisioni për punë të jashtme.
“Siç jemi deklaruar edhe më parë, nëse Kuvendi ose Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme e shohin të nevojshme një gjë të tillë, atëherë ne do ta trajtojmë atë ftesë. Mirëpo, më lejoni t’jua rikujtoj se takimi i datës 15 qershor ishte takim për dialogun e jo i dialogut. Kryeministri Kurti veçse i ka bërë të ditura publikisht katër propozimet e tij në atë takim”, ka thënë Kryeziu.
Arsyetimi se takimi nuk ka qenë vazhdimësi e procesit të bisedimeve nuk është i mirëpritur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas Ariana Musliu-Shoshit, deputetët duhet të jenë të informuar për çdo takim të kreut të Qeverisë.
“Ai po thotë që nuk kam diskutuar për dialogun, por për të ardhmen e dialogut. Faktikisht, edhe nëse ka diskutuar për të ardhmen e dialogut, ai duhet të vijë dhe të raportojë se çka ka bisedu, çka për të ardhmen e dialogut, çka qëndron, cila është strategjia, cilat janë parimet, dhe në këtë mënyrë edhe ne të kemi pak a shumë një ide se për çka po qëndron z. Kurti dhe si po na përfaqëson në takimet në Bruksel”, ka deklaruar deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi.
Mosgatishmëria e kreut të Qeverisë për të raportuar lidhur me takimin e mbajtur në Bruksel, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngjall dyshimet për atë që është diskutuar.
“Qeveria Kurti nuk është duke u treguar fare transparente për këtë çështje, gjë për të cilën ka kritikuar çdo herë qeveritë sa ka qenë në opozitë, ndërsa tani që ka marrë pushtetin ka harruar kritikat e veta. Ne akoma nuk kemi marrë ndonjë një njoftim nga ekzekutivi për raportim lidhur me takimin e 15 qershorit. Fshehja e kryeministrit Kurti dhe mostransparenca e Qeverisë për takimin me Vuçiqin ngjallin shumë dyshime për temat e diskutuara në takim. Kurti është dashur, me t’u kthyer nga takimi, t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosovës për temat që janë diskutuar në atë takim. Kjo po ashtu ka qenë një ndër kritikat e tij sa ishte në opozitë dhe tani duhet të veprojë ashtu siç kërkonte nga qeveritë e kaluara. LDK-ja do të insistojë me çdo kusht të kuptojë atë që z. Kurti dhe qeveria që ai drejton po mundohen ta fshehin nga ky takim, i cili, siç e ceka edhe më lart, ngjall shumë dyshime për temat që janë diskutuar në këtë takim”, ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Para deputetëve të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka raportuar për herë të fundit disa ditë para se të nisej në Bruksel. Por, ai aty raportoi për atë që ka ndodhur deri më tani në kuadër të procesit të bisedimeve.
Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet në fund të muajit korrik.