Arbëri

Hoxha: Në Kryesinë e PDK-së nuk është diskutuar për emrin e liderit të partisë

Partia Demokratike e Kosovës më 3 korrik do të mbajë Konventën ku do të zgjedhë kryetarin e ri të partisë. Por, deri tash Kryesia e saj nuk ka diskutuar për emrat që do t'i hyjnë garës, ka thënë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoxha ka thënë se zhvillimet politike kanë krijuar momentumin e nevojshëm për PDK-ja të ballafaqohet me situatë të brendshme dhe klimë tjetër të politikbërjes.

“Nuk kemi diskutuar për asnjë emër. Janë përfolur për muaj emra, por unë si anëtarë asnjëherë nuk është diskutuar për asnjë person. Gjithsesi, besoj se, z. Hoxhajt i është dhënë besimi (të hyjë në garë për kryetar). Asnjëherë në Kryesi nuk është diskutuar për emra”, ka thënë ajo.

Ajo ka insistuar që për asnjë nga emrat e përfolur se mund të jenë kandidatë, nuk është diskutuar në Kryesi, përfshirë Bedri Hamzën dhe Vlora Çitakun.