Arbëri

Gjermania lehtëson masat për kosovarët që duan të udhëtojnë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë të ditur masat lehtësuese për udhëtimet nga Kosova drejt Gjermanisë të cilat do të nisin nga 25 qershori.

Sipas një njoftimi të ambasadës “nga 25.06.2021 do të ketë lehtësime të kufizimeve të udhëtimit nga Kosova drejt Gjermanisë për personat plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19".

”Për personat plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19 sërish do të jenë të mundshme udhëtimet nga Kosova drejt Gjermanisë me parakushte të caktuara. Personat plotësisht të vaksinuar, 2 javë pas marrjes së vaksinës së fundit do të mund të udhëtojnë drejt Gjermanisë për vizita, udhëtime afariste dhe qëllime turistike, me kusht që posedojnë vizën eventualisht të nevojshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Në udhëzimet e ambasadës thuhet se personat plotësisht të vaksinuar, sipas parashikimeve, nga fillimi i korrikut sërish mund të caktojnë termine për viza Schengen.

“Me rastin e parashtrimit të kërkesës, duhet të paraqiten dokumentet mbi statusin e vaksinimit. E nevojshme për udhëtimin hyrës është një dëshmi mbi vaksinimin e plotë dhe të bërë së paku para 14 ditësh me një vaksinë të lejuar edhe në Gjermani”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.