Arbëri

Abdixhiku e quan “të shkretë” Kryeziun: Çdo marrëveshje me SHBA-në është në interes të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “të shkretë” zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, për deklaratën e tij se Marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike.

“Aq di i shkreti, aq di zëdhënësi. Çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme dhe çdo marrëveshje me SHBA-në gjithsesi është në interes të Kosovës”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.

Të premten, Kryeziu u shpreh se Qeveria Kurti e konsideron të pavlerë juridikisht Marrëveshjen e 4 shtatorit, që qe nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në Washington. Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator të vitit të shkuar patën nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, marrëveshjen me të cilën SHBA-ja synonte normalizim ekonomik. Të dy shtetet patën nënshkruar zotimet me Trumpin, ndërsa tani Qeveria Kurti ka thënë se pasi që ajo marrëveshje s’ka shkuar fare në Kuvend, nuk ka vlerë juridike. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Hoti atë kohë ka qenë në udhëheqje të një qeverie pa legjitimitet.

Për këtë deklaratë ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti duhet të demantojë deklaratën e Kryeziut për të mos rrezikuar marrëdhëniet me shtetin e fuqishëm.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me SHBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka thënë Haradinaj.