Arbëri

Qeveria e kualifikon të pavlerë juridikisht Marrëveshjen e Washingtonit

Foto: Reuters

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është duke e konsideruar si të pavlerë juridikisht Marrëveshjen e 4 shtatorit, që qe nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në Washington. Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator të vitit të shkuar patën nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, marrëveshjen me të cilën SHBA-ja synonte normalizim ekonomik. Të dy shtetet patën nënshkruar zotimet me Trumpin, ndërsa tani Qeveria Kurti ka thënë se pasi që ajo marrëveshje s’ka shkuar fare në Kuvend, nuk ka vlerë juridike.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Hoti atë kohë ka qenë në udhëheqje të një qeverie pa legjitimitet.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si një dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar edhe se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Andaj kjo është vlera e atij dokumenti. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka deklaruar ai për EkonomiaOnline.

Sa i përket çështjes së dialogut dhe takimit të 15 qershorit në Bruksel, Kryeziu ka thënë se aty Qeveria e ka bërë të qartë se njohja reciproke është rezultati i vetëm që do të pranohet nga Kosova.

“Takimi i 15 qershorit ishte takim për dialogun. Pra jo takim në kuadër të procesit të dialogut. Ishte një takim në të cilin kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka shprehur dhe paraqitur vizionin e kësaj qeverie sa i përket dialogut duke kërkuar që si proces i ardhshëm nuk duhet t’i ngjasojë atij të mëparshmit i cili ishte i pakornizuar dhe pa agjendë të dakorduar paraprake. Andaj gjatë takimit është bërë e qartë që ne jemi për një dialog i cili është i përgatitur mirë me parime paraprake i kornizuar dhe që në fillim të procesit të ketë dakordim mes palëve mbi elementet kryesore të një marrëveshje finale e cila nënkupton që do ta ketë edhe njohjen reciproke si një kërkesë të hapur të Kosovës edhe si një pritshmëri e kërkesë e SHBA-së të shprehur përmes letrës së presidentit Biden”, ka shtuar ai.

Ndërsa sa i përket raportimit të kryeministrit në Kuvend për takimin në Bruksel, ai ka thënë se nëse ka ndonjë ftesë nga Kuvendi apo Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme, Kurti është i hapur të japë përgjigje. Megjithatë, ai tha se në takimin e ardhshëm do të ketë diskutime për të pasur një dakordim mbi agjendën e dialogut të ri.

Kryeziu ka thënë se Qeveria Kurti është e përkushtuar për adresimin e çështjes së të pagjeturve “dhe e kërkon atë në çdo takim që ka në kuadër të cilido proces i cili mund t’i shërbejë zgjidhjes së saj.”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.

Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.