6 perditesime
14:05

Kuvendi miraton anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës

Me 70 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim., deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar anëtarët për Komisionin për provimin e Jurisprudencës.

Anëtarët e emëruar në këtë komision janë: Albert Zogaj, kryetar i komisionit, zevendësanëtare e komisionit Drita Rexhaj, Valbona Dishaj Haxhosaj anëtare e komisionit, pyetëse e lëndës E drejta penale, materiale dhe procedurale, zëvendësanëtar Afrim Shala, Zenel Leku, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta tregtare dhe zëvëndësanëtare Edije Sezairi; Halide Reka anëtare, pyetëse e lëndës E drejta kushtetuese, organizimi i sistemit gjyqësor të Kosovës, bazat e sistemit të Bashkimit Evropian dhe të drejtat e njeriut dhe zëvendësanëtar Feit Krasniqi; Hajriz Hoti, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta e punës dhe E drejta administrative dhe zëvendësanëtar Nenad Laziq.

Emërimi i disa prej këtyre anëtarëve është kundërshtuar nga deputetët e opozitës të cilët kanë deklaruar se mbajnë disa pozita të rëndësishme në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar gjatë seancës, se përzgjedhja e këtij Komisioni ka qenë puna më e vështirë për të që kur është në krye të kësaj ministrie.

Pas miratimit të kësaj pike të rendit të ditës, Kuvendi ka vendosur të shkojë në pauzë deri në ora 16:00.

13:36

Opozita kërkon të tërhiqet propozimi për emërimin e Zogajt në krye të Komisionit për Jurisprudencë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar për shqyrtimin e propozimit të Qeverisë së për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Deputetët e opozitës e edhe shoqëria civile kanë kërkuar që të tërhiqet vendimi për emërimin e Albert Zogajt në krye të Komisionit të Jurisprudencës pasi i njëjti mban tetë pozita.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka thënë se mbajtja e pozitave të shumta cenon garantimin e kryerjes së punës së ndershme dhe bie ndesh me kodin penal.

“Ne si grup parlamentar propozojmë ta tërhiqni këtë propozim të jashtëligjshëm dhe të sillni një tjetër”, ka thënë ai.

Deputeti Driton Selmanaj se për të njëjtin nuk ka pasur vlerësime të Agjencisë Kundërkorrupsion.

“Po trajtojmë një temë të rëndësishme, është e rëndësishme që të kemi këtë komision. Në fillim po them se edhe pse jam anëtar i komisionit për legjislacion, nuk kam pa që në komision kanë ardhe vlerësimet e AKK-së, unë si kam pasur në dispozicion. Kam një kërkesë nga kryetari i komisionit të flasë drejtë sepse duhet të tregohet kush e ka votuar e jo. Dikush nga pushteti po thotë se ky heqë dorë, ne nuk e kemi pas si deklaratë. Ajo çka kemi pas është se ky person mbanë 8 funksione shtetërore. Çka ndërroi kur ju dikur i quanit supremen atë që mbani shumë pozita. Kemi një rast tjetër është propozu kandidate që ka mase disiplinore ndaj saj. Ndërkaq ne kemi votu propozimin e ministres që të suspendojnë nëse vetëm ëa dyshime për masë disiplinore a këtu i propozojmë për komisione. Nga ana tjetër kemi dilemat tona rreth asaj që në ditën kur ka ardhë propozimet e kemi pa që kandidati nuk i ka 12 vjet përvojë pune. Tash dikush thotë deri sa të votohet mund t’i arrijë ato ditë. Kemi dilema edhe rreth kompetencës së vlerësuesve. E nderuar ministre për shkak të këtyre dilemave dhe propozimeve jo të denja, ju lutem tërhiqeni këtë propozim”, ka thënë ai.

Deputeti Besnik Tahiri, ka thënë se si Grup Parlamentar e konsiderojnë të rëndësishme të konstituohet komisioni për provimin e jurisprudencës.

“Në aspektin profesional nuk do të kyçemi por që kandidati i parë Albert Zogaj e kishte një përvojë pune të ngjeshur, por që duhet të shohim nëse a e ka të drejtën legjitime të ushtrojë këtë punë. Ne mendojmë që duke qenë se e ka një rendësi të veçantë që të kemi njerëz me integritet, Ministrja do të duhet të krijonte një listë të re e të trajtohet nga komisioni për legjislacion”, ka thënë ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk mund të propozojë anëtarë që e kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë.

“Komisionit të kaluar i kanë shkuar emra se kush duhet ta kalojë provimin. Këta të rinjtë nuk kanë me pranu lista. Jam përkujdesur që anëtarët e përzgjedhur të kenë integritet profesional e moral”, ka thënë ai.

12:35

Kuvendi ratifikon shtatë anëtarë të KSHC-së

Me 63 vota për 9 vota kundër Kuvendi ka ratifikuar 7 anëtarët e Këshillit Kombëtare të Cilësisë për Akreditim.

Anëtarët janë: Hasnije Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenari Nuqi, Sef Bytyqi edhe tre anëtarë ndërkombëtarë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se vendimi për ratifikimin e shtatë anëtarëve për Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, është marrë bazuar në rekomandim të Komisionit.

Sipas saj, aktualisht janë duke pritur 239 raporte që duhet të shqyrtohen nga ky këshill.

“Është e rëndësishme që të votohet kjo përbërje sepse nuk do të mund të regjistrohen studentët në vitin e ri akademik”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se anëtarët e këshillit të kaluar kanë dhënë dorëheqje në shkurt.

“Kur e kam marr detyrën e kam bërë shpalljen menjëherë. Duhet të emërojmë këshillin sepse janë 239 raporte të ekspertëve që nuk do të mund të akreditohen. Nëse nuk shqyrtohen, e nuk do të mund të shpallin konkurs institucionet për pranimin e studentëve, ky është nxitimi. Unë kam nxjerrë vendimin në bazë të rekomandimit të institucioneve përkatëse. I gjithë procesi është monitoruar nga BIRN dhe besoj që nuk ka pasur asnjë ndikim”, ka thënë ajo.

Deputeti Ardian Gola ka thënë se Komisioni për Arsim, e ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë për Këshillin dhe ka vendosë që t’i propozojë Kuvendit për ratifikim këtë rekomandim.

“Ratifikimi i shtatë anëtarëve bëhet me mandat pesë vjeçar. Vendimi është marrë me shumicën e votave në komision. Këta kandidatë të propozuar nga qeveria janë propozuar për ratifikim me të vetmin fakt se i kanë plotësuar kriteret. Unë si Ardian Golë po flas, votën do ta jap për shkak se këshilli ka nevojë të funksionohet në mënyrë urgjente. Po bëj premtim publik që do ta kemi nën vëzhgim konstant për çdo hap që e bëjnë”, ka thënë ai.

Deputetja Vlora Dumoshi ka thënë se nuk është në rregull të aprovohet rekomandimi kur ligji për akreditim është në përfundim.

“Aplikimi i ligjit te vjetër për emërimin e përbërjes së re të këshillit, kjo nuk siguron cilësi. Kemi bërë pyetje për këtë nguti, përgjigja ka qenë se nuk ka kohë sepse duhet të aplikohet në ENQA”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në votim.

Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha ka thënë se procesi i emërimit të këtyre anëtarëve ka probleme të shumta.

Sipas saj, procesi si i tillë ka pasur problemet e veta.

“PDK-ja ka ngritur këto çështje: në bazë të emërimit që ministrja bën për komisionin që duhet t’i shqyrtojë dosjet, ne kemi vërejtje sepse personat që as nuk kanë përfunduan studimet duhet të vendosin për profesorët. Studenti vendosë për profesorin mos të themi që ai student është edhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Thuhet që Komisioni përgatit listën e ngushtë të kandidatëve, komisioni ka rekomanduar 9 anëtarë në listën e ngushtë prej të cilëve ministrja është dashur t’i zgjedhë katër anëtarë, ajo ka zgjedhur tre dhe ka marrë një person nga lista e gjerë e aplikantëve...Kur kësaj ia shtoj që edhe deputeti (Ardian) Muja është udhëheqës atëherë kuptohet se si do të ndikojë trysnia politike në të ardhmen. Çështja tjetër shqetësuese është akomodimi i anëtarëve të familjes. Akomodimi i nipave nuk besoj që u bën nder institucioneve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj ka bërë thirrje që të anulohet ky konkurs.

“Hapni një konkurs të ri ku do t’i respektoni kriteret që vet i keni vendosur. Me qëllimin më të mirë ju rekomandoj që t’i respektoni kriteret e vendosura nga MASHTI, përzgjidhni profesorë që janë mishëruar me këtë punë. Këtë nuk e keni vështirë ta bëni, kontaktoni UP-në ose hyni në ëeb të UP-së e shikoni, mos shikoni përkatësinë partiake”, ka thënë ai.

11:27

Votohet në parim projektligji për heqjen e homologimit, PDK-ja nuk merr pjesë në votim

Është votuar në parim projektligji për heqjen e homologimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se projektligji për automjete ku përfshihet homologimi ka ardhur për herë të dytë pas mosmbështetjes në legjislaturën e kaluar.

Ajo ka thënë se me plotësim-ndryshimin e projektligjit do të sigurohet që do të hiqet kjo padrejtësi e homologimit me mbi një dekadë.

“Do të ketë adresime tjera në shqyrtimin tjetër në mënyrë që të sigurohemi që grupet parlamentare do të shtojnë çështjet e tyre në projektligj. Projektligji është i thjeshtë, ka katër nene është miratuar unanimisht në Komision dhe i ftojmë të gjitha grupet parlamentare të votojnë sot pro tij edhe në seancë ashtu siç kanë votuar në Komision”, ka thënë ajo.

Deputetja Fitore Pacolli ka thënë se Komisioni për Infrastrukturë e ka shqyrtuar në parim projektligjin dhe ka vlerësuar se i plotëson kushtet e parapara dhe i rekomandon Kuvendit ta votojë në parim.

Sipas saj Ministria e Infrastrukturës shumë shpejtë do ta sjellë në kuvend ligjin e ri për automjete dhe i ftoj të gjithë deputetët të kontribuojnë në të.

Deputeti Besian Mustafa nga LDK-ja ka thënë se e ka përkrahur iniciativën për plotësim ndryshimin e këtij ligji edhe në legjislaturën e kaluar. Dhe, do ra

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se duhet të presin ministrinë dhe të bëjnë në tërësi plotësim ndryshimin e këtij ligji sepse kështu, sipas tij po mbetet i mangët.

Ndërkaq Besnik Tahiri nga AAK-ja e ka mbështetur duke shtuar se do të kontribuojnë që ligji të jetë sa më i favorshëm për qytetarët.

10:41

PDK-ja paralajmëron ta çojë në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se partia e saj e konsideron si tendencë për qeverisje autoritare, shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Deliu-Kodra ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit se presidentja ka shkelur Kushtetutën duke zbatuar siç ka thënë, urdhrin politik të Albin Kurtit.

“Me shqetësim kemi ndjekur zhvillimet për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së. PDK-ja e konsideron si tendencë për qeverisje autoritare. Shkarkimi është politik cenon institucionet e pavarura. Shkarkimi po bëhet pas zgjedhjeve të rregullta. Vendimi rrezikon pavarësinë e zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë. PDK-ja konsideron që shkarkimi është kryekëput politik që ka për qëllim kapjen e shtetit. Presidentja ka shkelur Kushtetutën duke zbatuar urdhrin politik të Albin Kurtit. Valdete Daka është kërcënuar, linçuar e persekutuar nga Lëvizja Vetëvendosje e aktivistë të saj”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, skenari i kapjes së KQZ-së ka filluar para disa javësh kur presidentja e njëanshme nuk ka dekretuar emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

Ajo ka ftuar ambasadorët e Quintit që të reagojnë, derisa ka paralajmëruar se PDK-ja i ka nënshkrimet për ta çuar në Kushtetuese këtë vendim.

“PDK-ja i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin për shkarkim ta çojë në Kushtetuese. PDK-ja fton të gjitha grupet parlamentare ti bashkohen kësaj iniciative për ta mbrojtur Kushtetutën e vendit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se presidentja nuk mund ta shkarkojë kryetarin e KQZ-së.

“Duam t’i kujtojmë presidentes dhe kujtdo që e ka të qartë, presidenti nuk mund të shkarkojë kryetarin e KQZ-së, por kjo është e përcaktuar me ligj. Fatkeqësisht, presidentja në vend se të kujdeset për Kushtetutën ajo ka vendosur ta cenojë atë. Rasti i tillë duhet të na bëjë bashkë të gjithëve, jam i bindur se nëse nuk e ndalim tani raste të tilla do të përsëriten”, është shprehur Selmanaj.


Tahiri: Katër pikat e Kurtit në Bruksel, lojë fjalësh

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë gjatë seancës së Kuvendit se katër pikat e propozuara nga kryeministri Albin Kurti në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, nuk janë asgjë tjetër veçse lojë fjalësh.

Tahiri ka thënë se Kurti i harroi temat si kërkim falja dhe filloi në këtë takim me lojë fjalësh duke ndërruar siç ka thënë, CEFTA me SEFTA.

“Kryeministri Kurti ishte në Bruksel në takimin e parë me Vuçiqin dhe për habinë e të gjithëve ndodhi ajo që e kemi ngritur si alarm. Humbi tema e njohjes reciproke, e kërkimit të fjalës dhe filloi loja e fjalëve CEFTA, SEFTA që në esence është minishengeni. Ftoj kryeministrin që sot nuk qenka këtu, të vijë dhe të raportojë pse në takim nuk foli për njohje por për katër pika që në esencë nuk janë asgjë tjetër veçse lojë e fjalëve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka folur edhe për kërkesën e AAK-së për faljen e borxheve në sektorin privat duke thënë se ministri i Financave dikur ishte pro faljes, ndërkaq tani si ministër është kundër.

“Ne kemi kërkuar të bëhet falja e borxheve për sektorin privat i nderuar ministër me datë 22 korrik 2015 në seancë keni votuar pro faljes së borxheve çka ndryshoi tash pse më 2015 keni votuar për falje dhe si ndodhi tash që ti je ministër e nuk po bëka të falen borxhet”, ka thënë Tahiri.

10:28

Nuk kalon kërkesa për heqjen nga rendi i ditës të zgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Më 19 vota për dhe 53 kundër, nuk ka kaluar propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbështetur edhe nga grupet e tjera parlamentare të opozitës, që të hiqet nga rendi i ditës zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka kërkuar në fillim të seancës së sotme të Kuvendit që të hiqet nga rendi i ditës pika për zgjedhjen e kësaj pozite.

Sipas tij, procesi i përzgjedhjes së tij është përcjellë me shumë parregullësi.

“Ky proces është përcjellë me shumë të meta, kërkoj nga VV-ja dhe Lista Serbë që ta tërheqin këtë pikë dhe të rikthehet procesi në fillim”, ka thënë Reçica.

Mirëpo, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk qëndrojnë argumentet e Reçicës lidhur me këtë çështje. Sipas saj, procesi i përzgjedhjes ka shkuar në rrugën e paraparë.

“Argumentet që i prezantoi Reçica nuk qëndrojnë, kemi pasur një proces që ka shkuar në rrugën e paraparë, me aplikantë, me procesin e selektimit dhe pastaj intervistimit. Ka qenë kërkesa e Reçica që në fillim që paneli intervistues të jetë nga një përfaqësues i partive politike. Tash ne nuk duhet të kërkojmë falje që jemi shumicë në Komision. Paragjykimi i rezultatit, përcaktimi një partie opozitare për të sulmuar integritetin e një personi është i paprecedantë. Ky proces ka ardhur në seancë dhe seanca vendos. Thirrja për tërheqjen e Reçicës është një thirrje për të vazhduar me proces të votimit”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është e rëndësishme që i emëruari në pozitën e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të mos jetë person politik.

“Mendoj që është e rëndësishme që në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të kemi një njeri jopolitik. Tash të njëjtit njerëz që kanë kërkuar të ndryshohet ligji po kërkojnë që me procedura të përshpejtuar me ligjin e vjetër të zgjedhin një komisioner. Çka ka ndryshuar, a e ka VV njeriun e tyre. Ky veprim i ngutur është i paarsyeshëm. Mendoj që propozimi të hiqet nga rendi i ditës është i arsyeshëm, ose të mos votohet fare”, ka thënë Gashi.

Edhe AAK-ja është pajtuar që të hiqet nga rendi i ditës kjo pikë dhe procesi të nisë nga fillimi.

Organizata dhe aktivistë kanë kërkuar të mërkurën që të mos procedohet në seancë plenare votimi i Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Kjo për shkak të kandidatit Enver Bujarit, që sipas tyre, nuk ka ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.

Për këtë pozitë kërkohet që kandidatët të kenë, së paku tetë vite përvojë pune profesionale, nga të cilat, së paku pesë vite përvojë në pozita udhëheqëse.

Në një komunikatë të përbashkët të shoqërisë civile është thënë se në mungesë të këtyre dëshmive, deputetët e panelit intervistues - të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera në pushtet- nuk është dashur që të ftonin Bujarin fare në intervistë, ndërsa kanë bërë përgjegjës deputetë konkretë.

“Përgjegjësia për të kontrolluar dosjen i takon deputetëve të panelit intervistues. Për këtë dështim, ne mbajmë përgjegjës këta deputetë: Fatmir Humolli, Shqipe Mehmeti Selimi, Mefail Bajqinovci, Enver Dugolli dhe Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Erxhan Galushi dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Slavko Simić nga Lista Serbe”, thuhet në reagim.

08:05

Kuvendi mban seancë plenare

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 10:00 seancë plenare. Në rend dite janë 9 pika. Ndër to edhe zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të cilën gjatë ditës së mërkurë, opozita por edhe shoqëria civile kërkuan që të hiqet nga rendi i ditës.

Në një komunikatë për media organizatat e shoqërisë civile thonë se kandidati për këtë pozitë, Enver Bujari, ka manipuluar me CV-në e tij, duke mos ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, ashtu siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.

Shoqëria civile vlerëson se Komisioneri për Informim dhe Privatësi do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

Ky është rendi i ditës i seancës plenare:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

5. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,

6. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës,

7. Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

8. Zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi,

9. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.