Ani pse sipas planit të veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë parashihet imunizimi i deri 500 mijë personave në muaj, më 15 qershor në Kosovë arritën të vaksinohen vetëm 7 mijë persona
Rreth 7 mijë veta janë imunizuar në ditën të cilën autoritetet shëndetësore në Kosovë e kishin proklamuar si datë nisjeje të vaksinimit masiv në Kosovë. Kjo shifër e të vaksinuarve të martën është gjysma e numrit të synuar, sipas planeve të autoriteteve të shëndetësisë.
Me planin e veprimit, të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, si qëllim është shprehur vaksinimi i 500 mijë personave në muaj, që i bie i rreth 16 mijë persona në ditë.
E salla “1 Tetori” në Prishtinë gjatë së mërkurës ishte gjysmëboshe, pasi numri i qytetarëve që prisnin në radhë për t’u vaksinuar në mesditë ishte i vogël.
Niman Bardhi, përgjegjës i vaksinimit në këtë qendër, ka bërë të ditur se procesi është duke shkuar në bazë të kategorive që ka paraparë Ministria e Shëndetësisë.
“Është duke vazhduar vaksinimi, gjithmonë duke respektuar terminët e planifikuar për të gjithë qytetarët. Aktualisht kemi mbi 420 të vaksinuar në sallën ‘1 Tetori’, derisa në nivel vendi mbi 4 mijë e 120 të vaksinuar, e nëse i referohemi numrit total kemi mbi 114 mijë vaksina të aplikuara”, ka thënë ai.
Gjatë së merkurës janë vaksinuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës e Forcës së Sigurisë, të cilët, sipas planit, hyjnë në fazën e dytë të vaksinimit.
E në mesin e të vaksinuarve ishte edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka bërë të ditur se ishin dërguar të gjitha listat me emrat e zyrtarëve policorë për t’u vaksinuar.
“Fillimisht kemi angazhuar zyrtarët policorë që të vaksinohen, ata që kanë pasur sëmundje kronike, dhe tashmë ka përfunduar ai proces me atë pjesë. E tani ka filluar organizimi i vaksinimit të të gjithë zyrtarëve policorë nga rajonet prej të cilave vijnë”, ka thënë ai, duke treguar nuk ka pasur hezitim nga ana e zyrtarëve policorë për t’u vaksinuar.
Vaksinimi kundër COVID-19, në bazë të planit shtetëror të vaksinimit, ka vazhduar edhe në Komunën e Lipjanit e atë të Mitrovicës së Jugut.
Merita Bytyqi, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, ka thënë se është duke u vazhduar me vaksinimin e qytetarëve mbi moshën 65 vjeç.
“Nga dje procesi ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme, qytetarët i janë përgjigjur thirrjes, fatmirësisht nuk ka pasur asnjë komplikim, dje janë vaksinuar mbi 250 qytetarë, kryesisht janë qytetarë që i takojnë fazës së vaksinimit të personave mbi 65 vjeç dhe ata që kanë sëmundje kronike”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, fluks më i madh i qytetarëve për t’u imunizuar është parë në qendrën e vaksinimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Shefkete Sylejmani, përgjegjëse e vaksinimit në këtë komunë, thotë se tashmë ka filluar edhe vaksinimi i zyrtarëve policorë nga ky regjion.
“Dje i kemi pasur diku 260 vaksina tërë ditën, derisa sot deri në këtë moment janë vaksinuar 240. Sot kemi pasur fluks më të madh të qytetarëve, sot kemi pasur për vaksinim pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, qytetarët të cilët u vaksinuan gjatë së mërkurës në Mitrovicë kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë telashe.
“Kam marrë vaksinën në kohën e duhur, kam pasur probleme pak, shumë mirë që e marrim këtu, sesa derisa shkon atje e humb një ditë të punës”, ka thënë Florie Peci, e cila e ka marrë dozën e dytë të vaksinës “Astrazeneca”.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Kosova është në pritje të kontingjenteve me mbi 1 milion vaksina të blera nga kompania “Pfizer”. Po sipas tij, kontingjenti i parë do të mbërrijë në vend deri në fund të qershorit.
-
Nga: Dorentina Thaqi
-
16 qershor 2021 21:21
-
Shpërndaje në: