Arbëri

KPMSHC-ja ankohet për ndërhyrje nga komisioni parlamentar, pas inicimit për shkarkim

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në një reagim publik e ka quajtur gjyq të njëanshëm me pasoja frikësimi, denigrimi e dekurajomi, inicimin e procedurës për shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli, nga Komisioni Parlamentar për Administratë Publike.

Në një reagim, të publikuar të mërkurën KPMSHC-ja ka thënë se anëtarët e këtij këshilli gëzojnë imunitet funksional nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi lidhur me vendimmarrje gjatë ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe ligjore dhe se ligjshmëria e vendimeve të këtij këshilli mund të vlerësohet vetëm në kuadër të hierarkisë gjyqësore.

Këshilli është ankuar edhe për etiketimet që janë bërë në Komision për rastin e Nexhat Krasniqit, për të cilin në Komision ishte thënë se ka dyshime që lënda e tij është trajtuar me qëllim dhe janë anashkaluar lëndë të tjera të mëhershme.

“Etiketimi i anëtareve të Këshillit, për gjoja anshmëri në vendosje lidhur me rastin e N.K është edhe i pabazë edhe i papranueshëm, e as pretendimet e deklaruara nga disa anëtarë të këtij Komisioni nuk qëndrojnë. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendos vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave të dorëzuara nga palët dhe në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Si rrjedhojë siguron opinionin publik se edhe në rastin për të cilin aludohet, Këshilli ka vendosur mbi bazën e provave të dorëzuara nga palët në procedurë dhe në harmoni të plotë me legjislacionin e aplikueshëm. Lidhur me ketë rast, organi i punësimit e ka parashtruar kërkesën për masë të përkohshme, mirëpo Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme, çka nënkupton se vendimi i Këshillit prima facie nuk është i paligjshëm, siç pretendohet nga Komisioni Parlamentar”, thuhet në reagim.

Sa i përket një kërkese për qasje në dosjet e disa lëndëve, që janë shqyrtuar nga KPMSHC-ja dhe janë në proces të shqyrtimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, KPMSHC-ja ka thënë se kërkesa e Komisionit “përbën një precedent të rrezikshëm, i cili kështu edhe ia humb kuptimin këtij institucioni të pavarur (e tejet të rëndësishëm) edhe i jep kompetenca të paqena Komisionit”.

Këshilli ka thënë se ka bazë të mjaftueshme të konsiderojë se ky komision parlamentar ka cenuar dhe ka ndërhyrë direkt në punën e KPMSHC-së. Bazuar në këtë, KPMSHC-ja ka ftuar Kryesinë e Kuvendit të marrë masa.