Arbëri

Haxhiu: Është përfunduar drafti i parë i dokumentit për vetting

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me strategjinë për sundimin e ligjit.

Ajo ka thënë se lidhur me këtë kanë marrë mbi 300 rekomandime që shumica janë teknike, duke shtuar se sfidë për këtë mbetet implementimi.

“Më tutje siç e dini jemi të përkushtuar që Kosova të jetë shtet i së drejtës. Unë jam e shqetësuar se sa herë bëhet një matje e opinionit publik për besimin në sistemin e drejtësisë. Kështu e kemi si obligim që të rrisim besimin. Sot dua të them se sot nuk ka asnjë dilemë që duhet të ketë vetting. Dje kemi përmbyllur draftin e parë të koncept dokumentit dhe është dërguar te grupi i gjerë, deri më 30 qershor do t’i japin komentet. Do të përfundohet deri në muajin gusht. Integriteti moral, ai professional që duhet të kenë dhe aspekti pasuror, këto janë tri aspektet ku do të fokusohemi. Adresimi i luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Kosova ende renditet si ndër vendet më të korruptuara. Kosova ka pasur 36 pikë në transparency international. Kjo duhet të ndryshojë, është koha e fundit kur duhet të tregojmë e t’i japim fund krimit e korrupsionit. Në këtë drejtim jemi duke punuar në hartimin e projektligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme që deri në shtator do të dërgohet në Kuvend. Ky ka për qëllim që Agjencioni do të dërgojë në gjykatë për të verifikuar dhe marrë vendim për konfiskim”, ka thënë ajo.

Ai ka thënë se baza aktuale ligjore kundërkorrupsion, është zbatuar vetëm në një rast.

“Adresimi i krimeve të luftës - në këtë drejtim kemi me mbështetjen e Kuvendit, përveç Listës Serbe, kemi arritur të ndryshojmë një dispozitë në Kodin Penal për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Kemi themeluar grupin punues për themelimin e Institutit për Hetimin e Krimeve të Luftës”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se një pjesë e buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë do të shkojë në këshillin prokurorial për shtimin e 4 prokurorëve në departamentin për hetimin e krimeve të luftës.

Deputetja Blerta Deliu ka kërkuar nga Haxhiu të ofrojë gjetje sa i përket ngecjes në luftën kundër korrupsionit.

“Sa keni qenë në opozitë keni qenë kundër MSA-së, tash zotoheni që në plotni do të zbatoni, a ka ndryshuar diçka deri tash? Keni kundërshtuar edhe fusnotën, që është e përfshirë në MSA, a do të punojë qeveria me fusnotë? Nëse keni kritere të reja që duhet t’i zbatojë Kosova, kur keni takime me ndërkombëtarët”, ka pyetur ajo.

Deputeti Driton Hyseni ka thënë se një çështje që do të jetë në interes të investitorëve është krijimi i Gjykatës Komerciale, duke i kërkuar ministres të ndalet në disa specifika.

Ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se ka proceduar në MF projektligjin për Agjencinë Kundërkorrupsion, gjykatën komerciale, për të drejtat pronësore për qytetarët e huaj.

“Sa i përket agjendës ambicioze, për shkak që kemi shumë problem, jemi munduar që për problemet që kemi, t’i fillojmë sa më parë. Jemi duke punuar në drejtim të zbatimit të afatit kohor që janë paraparë me agjendë, jam optimiste se varësisht se si i kemi paraparë këto afate, jam e bindur që do të jetësohen. Numri i lëndëve, ne çdo të premte mbajmë takime me qytetarët dhe mundem me theksu që prej kërkesave që kemi, 90 për qind kanë të bëjnë me këto vonesa të lëndëve. 183 mijë lëndë të pazgjidhura, 456 lëndë në Supreme. këtu duhet të shohim të bëjmë gjykatë administrative e të punë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se dje e kanë përfunduar koncepdokumentin  dhe deri më 30 qershor presin komentet. Njerëzit e përfshirë sipas saj  janë njerëz nga AKI-ja, MBP-ja, Ambasadat, përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë e institucioneve tjera.

“I rëndësishëm është bashkëpunimi me opozitën. LDK dhe PDK nuk kanë pranuar të jenë pjesë e takimit për vettingun, meqë kanë konsideruar që kryetarët e partive të jenë pjesë e takimit. Gjykata Komerciale, dje e kemi dorëzuar në MF për të parë koston buxhetore, konsideroj që është shumë e rëndësishme, kur një investitor vjen në Kosovë, nëse i njëjti ka një kontest gjyqësor dhe pyet sa zgjatë një proces e i themi 6 vjet, investitorët largohen. Kjo gjykatë është e rëndësishme. Unë përmenda çështjet që dalin nga agjenda evropiane dhe PKZMSA-së, secila çështje që i përmenda hyjnë në këtë agjendë”, ka thënë ajo.

Lidhur me luftën kundër krimin e organizuar dhe korrupsionit, ajo ka thënë se ka mosveprim të institucioneve të drejtësisë, ku dënimet janë me gjobë ose me kusht.

“Me pakon ligjore të re, besoj që do të kemi avancime në këtë luftë. Znj. Deliu e përmendi fusnotën, aso kohe na thuhej se do shkrihet si flluska e borës, ende e kemi fusnotën, unë ende besoj që është koha e fundit kur ne duhet të bëjmë përpjeke maksimale për fuqizimin e Kosovës. Dje keni parë një qasje të re karshi dialogut. Ju inkurajoj që ta thërrisni Qeverinë në interpelancë për dialog. Pra fusnotën nuk e kemi vendosur ne, sepse aty mohohet shtetësia, e ne nuk mund ti heqim për tre muaj”, ka thënë ajo.