4 perditesime
19:27

Hajdari thotë se s’mund ta shfuqizojë udhëzimin që mundësoi monopolin në markimin e naftës

“Ne kemi trashëguar një udhëzim administrativ, jashtëligjshëm të nënshkruar nga Vesel Krasniqi, e po ashtu edhe një kontratë për markimin dhe shënjimin e lëndëve të naftës. Ne nuk kemi mundur ta shfuqizojmë këtë UA, për shkak të klauzolës me arbitrazh. Por, pjesërisht do të mund ta ndryshojmë dhe jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë ministrja Rozeta Hajdari në raportimin e saj në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi

Qeveria nuk do të mund të shfuqizojë udhëzimin administrativ të vitit 2020 që ka mundësuar krijimin e monopolit në markimin e naftës. Kjo, sipas ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari për shkak të klauzolës së arbitrazhit të përfshirë në kontratën e nënshkruar atëherë nga ish-ministri i këtij dikasteri, në qeverinë Hoti.

“Ne kemi trashëguar një udhëzim administrativ, jashtëligjshëm të nënshkruar nga Vesel Krasniqi, e po ashtu edhe një kontratë për markimin dhe shënjimi i lëndëve të naftës. Ne nuk kemi mundur ta shfuqizojmë këtë UA për shkak të klauzolës me arbitrazh. Por, pjesërisht do të mund ta ndryshojmë dhe jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Hajdari në raportimin e saj në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi.

Ajo sqaroi se si kanë ftuar edhe organet e hetuesisë të merren me këtë çështje, derisa tha se plotësim-ndryshimi i Ligjit për konkurrencën e bën të mundur largimin sadopak nga ky monopol.

Hajdari në raportimin e saj para Komisionit për ekonomi pati edhe një debat sa u përket investimeve strategjike me kryetarin e këtij komisioni Ferat Shalën.

“Hartimi i një politike kombëtare të investimeve është i domosdoshëm. Ne do të rishikojmë edhe ligjet për investimet e huaja, investime strategjike dhe për zonat industriale”, deklaroi ministrja Hajdari, që çoi edhe në pyetjen e Ferat Shalës për këtë çështje.

“A nuk e ndihmon ligji këtë? Nëse nisim nga ky parim, pse nuk është prioritet që ligji për investime strategjike që të vijë më shpejt? Konsideroj që ligji për investime strategjike ka thithur investitorë. Çfarë do të ndodhë me investitorët strategjikë që kanë ardhur me këtë ligj që ka ngecë në qeveri? A do të kthehen në piken zero apo do të vazhdojnë të presin?”, ishin disa nga pyetjet e Shalës.

Ndërkaq, Hajdari tregoi se si me një udhëzim administrativ të vitit 2018, ishin larguar kriteret që janë në kundërshtim me interesin nacional.

“Vërtet është shqetësim nacional sa u përket investimeve strategjike. Ai ligj ishte devijuar me UA të vitit 2018. Janë larguar kritere që kanë interes nacional, për shembull për përfshirjen e Ministrisë së Ambientit që duhet të jap pëlqimin për të ruajtur ambientin. Jemi duke shqyrtuar disa rekomandime të komisionit. Jo më larg se në qershor do të shkojnë politikat për investime strategjike në qeveri”.

Për këtë, Hajdari, përsëri nga Shala u pyet se çfarë do të ndodhë me ata investitor që tash janë parakualifikuar nga Këshilli Ndërministror. Përgjigjja e ministres ishte se së pari do të hartojnë dokumentin për investime kombëtare e pastaj do t’u kthejnë përgjigje bizneseve.

E kur u pyet nga deputetët për reciprocitetin, ministrja Hajdari tha se nuk ka deklaruar që nuk do të zbatojnë reciprocitetin.

“Është mirë t’i ndajmë çështjet bilaterale dhe asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të zbatojmë reciprocitetin, sepse është parim i barazisë dhe si qeveri Kurti asnjëherë nuk do të largohemi nga çështja e reciprocitetit, ne do të shqyrtojmë sa më mirë”, ka theksuar ajo.

Tutje, ministrja Rozeta Hajdari shpalosi gjithë planin vjetor të punës së ministrisë që udhëheq. Ajo tha se nga ky muaj do të fillojnë me ndarjen e granteve në total prej 500 mijë eurosh.

“Për makineri kemi afër 1 milion euro... Por e konfirmuar tani për tani, sepse jemi në rishikim të buxhetit, është granti 500 mijë euro që do të iniciohet në qershor”.

Si prioritet, Hajdari tha se është hartimi i politikave në fushën e industrisë, tregtisë e ndërmarrësisë që do të çojnë edhe në hartimin e një mori ligjesh, meqë sipas saj, ajo ka trashëguar një sistem të shthurur.

“Ne kemi trashëguar një sistem shumë të shthurur. Politikat e ligjet për shumë sektorë nuk ekzistojnë, për industri, tregti etj. Investime, ne kemi veç një agjenci të tillë, por kur shikojmë se nuk kemi politikë të trashëguar për investime. Janë këto procese të zbrazëta”, u shpreh Hajdari.

Përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes dhe zgjerimi i konkurrueshmërisë, nxitja dhe përkrahja e investimeve të huaja, zhvillimi i bilancit tregtar, hartimi i koncept-dokumentit për mbrojtjen e konsumatorit janë çështjet që synon Rozeta Hajdari t’i arrijë gjatë një viti drejtimi të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë.

13:04

Hajdari: Qeveria Kurti nuk do të largohet nga çështja e reciprocitetit

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se Qeveria Kurti asnjëherë nuk do të largohet nga çështja e reciprocitetit.

"Është mirë t’i ndajmë çështjes bilaterale dhe asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të zbatojmë reciprocitetin sepse është parim i barazisë dhe si qeveri Kurti asnjëherë nuk do të largohemi nga çështja e reciprocitetit, ne do të shqyrtojmë sa më mirë", ka thënë ai.

Deputeti Driton Hyseni ka pyetur për kapacitetet e inspektoratit të tregut.

Hajdari ka thënë se për inspektorat nuk ka kapacitet të mjaftueshëm dhe me ligj parashihet të ketë koordinim më të madh me inspektoratet e kjo, sipas saj, është e financuar nga ana e Bankës Botërore.

12:22

Hajdari: UA për markimin e naftës i nënshkruar jashtëligjshëm, kemi njoftuar hetuesinë

Armend Muja nga VV ka pyetur ministren lidhur me ndryshimet që pritet të ndodhinë ligjin për konkurrencën.

“Kur po i referoheni plotësim ndryshimit të ligjit për konkurrencën, çka do të ndryshohet aty? Kur kjo nuk e ka eliminuar krijimin e monopolit. Çka ka ndodhë me UA të hartuar nga Vesel Krasniqi? “

Hajdari ka thënë ka se “Ne kemi trashëguar një udhëzim administrativ jashtëligjshëm të nënshkruar nga Veseli, e po ashtu edhe një kontratë për markimin dhe shenjëstrimin e lëndëve të naftës. Ne nuk kemi mundur ta shfuqizojmë këtë UA për shkak të klauzolës me arbitrazh. Por, pjesërisht do te punojmë të rregullojmë këtë çështje. Kemi ftuar për hetim organet e hetuesisë” ka bërë të ditur Hajdari.

12:14

Hajdari: Ligji për investime strategjike i bërë për përfitime personale

Më tutje gjatë raportimit të saj në komisioni, Hajdari ka thënë se për 3 vitet e fundit ata nuk kanë gjet politika për industri e as investime. “Po flas për 3 vitet e fundit, s’kemi gjet politika për industri. Po ashtu as për investime. Nuk janë politika që bien ndesh me ato nacionale, por nuk ka fare. Nuk ka ligje dhe rregullore që i tregon investitorit se ku duhet me investuar” ka thënë Hajdari.

Mirëpo, anëtari nga PDK Ferat Shala ka pyetur lidhur me ligjin për investimet strategjike.

‘A nuk e ndihmon ligji këtë? Nëse nisim nga ky parim, pse nuk është prioritet që ligji për investime strategjike që të vijë më shpejt? Konsideroj që ligji për investime strategjike ka thithë investitor. Cka do të ndodhë me investitorët strategjikë që kanë ardhur me këtë ligj që ka ngecë në qeveri? A do të kthehen në piken zero apo do të vazhdojnë të presin?”është shprehur Shala .

Lidhur me këtë Hajdari ka thënë se investimet strategjike janë shqetësim nacional.

“Vërtetë është shqetësim nacional sa i përket investimeve strategjike, ai ligj ishte devijuar me UA të vitit 2018. Janë larguar kritere që kanë interes nacional, p.sh për përfshirjen e Ministrisë së Ambientit që të jap pëlqimin për të ruajtur ambientin. Jemi duke shqyrtuar disa rekomandime të komisionit. Jo më larg se ne qershor do te shkojnë politikat për investime strategjike në qeveri” ka thënë Hajdari.

Por Shala ka insistuar duke e pyetur Hajdarin “Nuk morëm përgjigje se çka do të ndodhë me investitorët që janë parakualifikuar? “

“Kam njoftuar ZKM që UA 15/2018 ka devijuar nga ligji për investime strategjike sepse UA ka larguar nenet përkatëse sa i përket legjislacionit për mbrojtjen e ambientit. Po presim nga zyra ligjore që të marrim përgjigje se si do të procedojmë e tu kthejmë përgjigje investitorëve që janë parakualifikuar nga ana e këshillit ndërministror. Nuk dua të gjykoj pse ka devijuar, por kemi një ligj që mund të jetë bërë për përfitime personale” ka theksuar Hajdari.

Ferat Shala përsëri e ka pyetur Hajdarin “Ta saktësojmë se kur ka ndodhë”.

“Kjo ka ndodhë në vitin 2018, ne si Qeveri Kurti 1 nuk kemi kaluar asnjë investitor” ka bërë të ditur ministrja Hajdari.

Këtu Shala e ka pyetur ministren edhe për mbrojtjen e konsumatorëve.

“E përmendet mbrojtjen e konsumatorit që nuk e keni në plan qeverisës, por që e keni si ministri si objektiv, njëjtë edhe shoqëritë tregtare. Si ka mundësi të hartohet politikë pa bazë ligjore?” ka pyetur ai.
 

“Këtu kemi një keqkuptim. Si mund të hartojmë një ligj kur nuk kemi politika. Së pari i prin politika e pastaj ligji” është përgjigjur Hajdari.

Hajdari gjithashtu ka thënë sqarime sa i përket fondit për ndërmarrësi dhe inovacion.

“Departamenti politik bërës nuk duhet të shpërndajë fonde. Dhënia e granteve duhet të bëhet me mekanizëm ekzekutuese. Fondi do të shqyrtohet me strukturën e KIESAS, dhe tani kemi politikën për inovacion dhe ndërmarrësi, fondi është ekzekutim i politikës. Ky fond do të përfshijë edhe më shumë. Ne kemi trashëguar dy departamente që ekzekutojnë grante.

11:26

Hajdari shpalos para deputetëve pesë objektivat për të përmirësuar “sistemin e shthurur”

Në raportimin para deputetëve në Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, rreth planit vjetor të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ministrja Rozeta Hajdari ka shpalosur pesë objektiva me të cilët ka thënë se do të punojnë për përmirësimin e “sistemit të shthurur të cilën e kemi trashëguar”.

Ajo është ankuar se në ministri ka gjetur shumë mungesa, duke thënë se “politikat e ligjet për shumë sektorë nuk ekzistojnë”.

“Në këtë gjendje që kemi trashëguar, duam të iniciojmë politika për tregti, industri e ndërmarrësi. Sipas planit të ministrisë, ne kemi pesë objektiva strategjike. Përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes dhe zgjerimi i konkurrueshmërisë, nxitja dhe përkrahja e investimeve të huaja, zhvillimi i bilancit tregtar”, ka thënë tutje ajo.

Ajo la paralajmëruar miratimin e Ligjit për inspektim, Ligjin për konkurrencë, riorganizim dhe trajtim të stafit për agjencitë.

Hajdari ka thënë se do të përkrahen me grante bizneset që janë prekur nga pandemia, ndërsa ka theksuar se Ligjin për turizëm do ta shtyjnë.

Sipas saj, Ligji për sekretet tregtare, ai për patentën, ai për dizajn industrial, për marka tregtare e për pronësi industriale do të shkojnë deri në vjeshtë për miratim nga Qeveria.

Hajdari ka thënë se Qeveria Kurti do t’i rishikojë edhe Ligjet për investimet e huaja, strategjike e për zonat industriale.

Ka thënë se janë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë për themelimin e Gjykatës Komerciale.